Rama-Mitsotakis: Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, drejt zgjidhjes

Rama pas takimit me Mitsotakis: Duhet t’i japim fund çështjeve të pazgjidhura mes Shqipërisë dhe Greqisë

Kryeministri Edi Rama foli për vizitën e tij në Athinë dhe takimin me homologun grek, Kyriakos Mitsotakis, gjatë një podkasti, duke theksuar rëndësinë e këtij takimi për marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Shkova për të marrë pjesë në një forum, por pata kënaqësinë të pritesha nga kryeministri i Greqisë dhe një mik i vyer, Kyriakos Mitsotakis. Bëmë një bilanc të punës së grupit të përbashkët që kemi ngritur për t’i dhënë një herë e përgjithmonë zgjidhje të gjitha çështjeve të pazgjidhura mes nesh,” tha ai.

Rama theksoi se pala greke ka gatishmëri të plotë për të çuar përpara këtë proces. “Më vjen shumë mirë të them se nga ana e kryeministrit grek ka një vullnet absolut për të adresuar me prioritet të gjitha çështjet e pazgjidhura,” u shpreh ai.

Ai shtoi se synimi është konfirmimi brenda këtij viti, përmes një dokumenti të ri të partneritetit strategjik, i natyrës shumë speciale të marrëdhënies mes dy vendeve.

Sipas Ramës, ekziston një mbështetje e vazhdueshme nga Greqia për integrimin europian të Shqipërisë. “Greqia na mbështet si gjithmonë në rrugën e anëtarësimit tonë në Bashkimin Europian,” deklaroi Rama.

Në përfundim, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh optimist për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Jam shumë optimist dhe besimplotë se falë edhe angazhimit personal të kryeministrit Mitsotakis, ne do të dimë të adresojmë çështjet e pazgjidhura dhe do të forcojmë edhe më shumë marrëdhëniet tona, si për minoritetin grek në Shqipëri, ashtu edhe për shqiptarët në Greqi,” përfundoi ai.

Scroll to Top