Hetimet për sulm ndaj Trump në Darkën e Korrespondentëve

Hetimet për sulmin gjatë darkës me korrespondentët: Dyshohet se objektivi ishte Trump

Hetimet lidhur me të shtënat e ndodhura gjatë Darkës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë vijojnë, ku dyshohet se objektiv i sulmit ka qenë presidenti Donald Trump dhe zyrtarë të administratës së tij.

Prokurori i përgjithshëm në detyrë, Todd Blanche, deklaroi për NBC News se “gjetjet paraprake” sugjerojnë se i dyshuari kishte në shënjestër figura të larta të administratës amerikane, përfshirë presidentin. Megjithatë, ai theksoi se hetimet janë ende në fazë fillestare.

Sipas autoriteteve, motivi i sulmit mbetet i paqartë dhe i dyshuari nuk po bashkëpunon me hetuesit. Ai pritet të dalë në gjykatë federale me akuza për sulm ndaj një oficeri federal, përdorim të armës së zjarrit dhe tentativë vrasjeje.

Hetuesit po verifikojnë lëvizjet e tij, përfshirë udhëtimin nga Los Angeles në Uashington DC përpara ngjarjes, si dhe qëndrimin në hotelin ku u zhvillua aktiviteti.

Ngjarja ndodhi gjatë darkës vjetore të korrespondentëve në Uashington DC, ku presidenti Trump dhe zyrtarë të tjerë u evakuuan menjëherë nga Shërbimi Sekret pas të shtënave. Autoritetet konfirmojnë se i dyshuari është arrestuar dhe hetimet po vijojnë.

Scroll to Top