Tragjedi me trena në Indonezi: 14 të vdekur, 81 të plagosur

Tragjedi në Indonezi: Përplasen dy trena, 14 të vdekur

Një aksident i rëndë me pasojë humbjen e jetës së 14 personave dhe plagosjen e 81 të tjerëve ka ndodhur në Indonezi. Dy trena pasagjerësh u përplasën pranë stacionit të trenit Bekasi Timur, rreth 25 kilometra në lindje të kryeqytetit indonezian.

Shefi i policisë së Xhakartës, Asep Edi Suheri, sqaroi se njëri nga trenat u përplas me vagonin e fundit të një treni periferik.

Dëshmitarë okularë përshkruan skena të vështira, ku njerëz po nxirreshin nga rrënojat e trenit me barela dhe transportoheshin me ambulanca, ndërsa kalimtarë të rastit vëzhgonin me tmerr ngjarjen.

Një pasagjere e mbijetuar, Sawsan Sharifa, 29 vjeç, përshkroi momentet e tmerrshme që përjetoi:

“Mendova se do të vdisja. Gjithçka ndodhi aq shpejt, në një çast. Në trenin tonë kishin bërë dy njoftime. Të gjithë po përgatiteshim të zbrisnim dhe papritmas dëgjuam një zhurmë të fortë. Nuk patëm kohë të dilnim, mbetëm të bllokuar, duke rënë njëri mbi tjetrin brenda trenit. Nuk e di çfarë i ndodhi atij poshtë meje,” tregoi ajo nga shtrati i spitalit, ku u dërgua me një krah të thyer dhe një plagë të thellë në këmbë. Sharifa shprehu frikën se do të vdiste dhe shqetësimin për gratë dhe pasagjerët e tjerë të bllokuar.

Viktima kryesore rezultoi të ishte vagoni i fundit i trenit periferik. Ekipet e shpëtimit punuan me forcë për të liruar pasagjerët e bllokuar, duke prerë pjesë të vagonit. Në mes të natës, dëgjoheshin thirrje për bombola oksigjeni, ndërsa ambulancat prisnin me dritat ndezur, gati për të transportuar të plagosurit.

Scroll to Top