GJKKO dënon tre anëtarë të grupit të Visi të Pojës
Gjykata e Posaçme ka shqiptuar dënime për tre anëtarë të lidhur me grupin e personit të njohur si Visi i Pojës.
- Edison Çukaj, i njohur gjithashtu si Gjoka, është dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim. Falë gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë vetëm 1 vit burg. Duke qenë se koha e kaluar në paraburgim është më e gjatë se dënimi i tij, Gjykata ka urdhëruar lirimin e tij nga masa e arrestit.
- Ervis Deti është dënuar me 2 vite burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë 1 vit e 4 muaj burgim.
- Bexhed Mema është dënuar me 2 vite burgim. Ai do të vuajë 1 vit e 4 muaj burgim, falë gjykimit të shkurtuar. Megjithatë, ekzekutimi i vendimit për dënimin e tij me burg është pezulluar nga Gjykata.
Personat e lartpërmendur ishin pjesë e një skeme të organizuar për trafik droge drejt Italisë. Plani u zbulua pasi Edison Çukaj u ndalua në Portin e Barit nga autoritetet italiane për mungesë dokumentacioni të rregullt dhe u deportua në Shqipëri.
Tre të dënuarit ishin pjesë e një rrjeti më të madh për trafik droge drejt Italisë, ku si “koka” dyshohet të jetë Elvis Doçi, i njohur si Visi i Pojës. Për këtë grup, SPAK ka nxjerrë gjithsej 29 masa sigurie në maj të vitit 2025.
Ervis Deti, Edison Cukaj alias Gjoka dhe Serxhio Shkodra akuzohen se kanë konsumuar elementët e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Bexhed Mema gjithashtu akuzohet për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Naim Beluli, me funksion kontrollor, akuzohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
