Një shpërthim i fuqishëm në një fabrikë fishekzjarrësh në Kinë ka rezultuar në humbjen e jetës së 21 personave dhe plagosjen e 61 të tjerëve.
Tragjedija ndodhi si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në fabrikën Huasheng Fireworks, e vendosur në qytetin Liuyang, provinca Hunan, rreth orës 16:40.
Si masë paraprake, ekipet e emergjencës evakuuan të gjithë banorët brenda një rrezeje prej 3 kilometrash nga zona e shpërthimit.
Autoritetet mobilizuan rreth 500 punonjës për operacionet e kërkim-shpëtimit dhe për të ofruar ndihmë të plagosurve. Për lokalizimin e personave të bllokuar brenda ndërtesës, u përdorën gjithashtu robotë.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e shpërthimit dhe, sipas mediave shtetërore kineze, janë marrë masa ndaj personit përgjegjës të kompanisë.
Autoritetet theksuan se dy depo me barut brenda kompleksit të fabrikës paraqisnin rrezik të lartë gjatë operacioneve të shpëtimit. Për të parandaluar incidente të tjera, ekipet ndërhynë duke lagështuar zonën përreth.
Shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale, duke thyer xhamat e ndërtesave të banimit pranë fabrikës.
Liuyang njihet si qendra e industrisë së fishekzjarrëve në Kinë, duke qenë vendndodhja e shumë kompanive prodhuese.
Presidenti kinez Xi Jinping ka urdhëruar kryerjen e të gjitha përpjekjeve për gjetjen e punëtorëve të zhdukur dhe për nxjerrjen para përgjegjësisë të atyre që janë fajtorë për këtë katastrofë.
