Kurti: Kosova nuk ka qasje në këtë gjykatë, por besojmë në pafajësinë e tyre
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se vendimi i fundit i Gjykatës Speciale, e cila shtyu për dy muaj dhënien e vendimit për ish-krerët e UÇK-së, nuk ka lidhje me zgjedhjet që do të zhvillohen më 7 qershor në Kosovë.
Gjatë një deklarate për mediat, Kurti u shpreh se Qeveria e Kosovës nuk ka qasje në këtë gjykatë. Ai theksoi se Kosova ka nevojë për gjykata normale, jo për gjykata speciale. Kurti tha se beson në pafajësinë e krerëve të UÇK-së, të cilët vazhdojnë të mbahen në burg, padrejtësisht, në Hagë.
Në lidhje me zgjedhjet që do të mbahen më 7 qershor, Kurti deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje do të kapërcejë edhe rezultatin e 28 dhjetorit.
“Sa i përket vendimit të Gjykatës Speciale që të shtyhet për dy muaj, nëse s’gaboj, vendimin e tyre ne e morëm vesh njësoj sikurse të gjithë ju, për shkak se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka qasje në dinamikat dhe zhvillimet që bëhen në Gjykatën Speciale. Gjykata Speciale nuk karakterizohet nga transparenca për vendin tonë, në shërbim të të cilit thuhet se është. Edhe njëherë e theksoj, Kosova ka nevojë për gjykata normale, jo për gjykata speciale. Ne besojmë në drejtësinë e UÇK-së dhe në pafajësinë e krerëve të UÇK-së, të luftëtarëve të saj, të cilët vazhdojnë të mbahen në burg, padrejtësisht në Hagë. Besoj që qytetarët e Republikës e kanë kuptuar që çdo herë kur përpiqesh t’i vësh digën një rrjedhe socio-historike e politike, qysh është Lëvizja Vetëvendosje, atëherë do të ketë gjithnjë e më shumë prurje. Sa herë na kanë vënë digë, është rritur prurja. E tash, saktësisht sa do të jetë, do ta marrim vesh në mbrëmjen e 7 qershorit,” tha Kurti.
Disa ditë më parë, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, shpalli 7 qershorin si datën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare. Këto janë zgjedhjet e treta që Kosova mban brenda një viti e gjysmë.
Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së përfundoi në shkurt, ndërsa aktgjykimi pritej këtë muaj. Por paneli gjyqësor vendosi ta shtyjë shpalljen e vendimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, deri më 20 korrik.
