Titulli: Bypass-i i Elbasanit, ARRSH hap dy tendera me fond limit rreth 60 milionë euro
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar hapjen e dy procedurave të prokurimit për projektin e Bypass-it të Elbasanit. Këto procedura kanë për objekt kontratën për “Ndërtim rruga lidhëse Tiranë – Elbasan me korridorin VIII, Faza 1” dhe “Ndërtim rruga lidhëse Tiranë – Elbasan me Korridorin VIII, Faza II”.
Faza e parë ka një fond limit prej 3,3 miliardë Lekë, ndërsa Faza e dytë ka një fond limit prej 2,5 miliardë Lekë. Në total, fondi për këtë lot të parë arrin në rreth 60 milionë euro.
Sipas dokumenteve të procedurës së prokurimit, ky segment synon të përmirësojë lidhjen mes Tiranës dhe Elbasanit, si dhe të forcojë lidhjet me Korridorin VIII, një nga korridoret kryesore ndërkombëtare të rajonit.
Rruga kryesisht ndjek gjurmën e Bypass-it ekzistues të qytetit të Elbasanit, sipas Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë. Ka pasur disa devijime të vogla për të përmbushur standardet e projektimit të një autostrade ndërurbane të kategorisë “A”. Segmenti fillon në fshatin Bradashesh, ku përfundon autostrada Tiranë–Elbasan, dhe shtrihet drejt jug-perëndimit të qytetit.
Terreni në këtë segment është kryesisht fushor, me lartësi që variojnë nga 100 deri në 150 metra mbi nivelin e detit. Projekti ka marrë parasysh kushtet hidrologjike, gjeologjike dhe urbanistike të zonës përreth, duke synuar të garantojë siguri dhe qëndrueshmëri të lartë të rrugës. Segmenti ka një gjatësi prej 4,2 km.
ARRSH thekson se ndërtimi i Bypass-it të Elbasanit do të kontribuojë në reduktimin e trafikut në qendër të qytetit, uljen e kohës së udhëtimit dhe përmirësimin e sigurisë rrugore për qytetarët dhe bizneset.
