Bardhi: Rama bashkëpunëtor në krizën e çmimeve, do ta sjell unë në Kuvend
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka deklaruar se kryeministri Edi Rama paraqitet në Kuvend vetëm për të bllokuar drejtësinë dhe arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, por refuzon të jetë i pranishëm në seanca plenare për debate apo interpelanca të thirrura nga opozita.
Bardhi ka sjellë në Kuvend një video ku kryeministri Rama flet për çmimin e naftës dhe ndikimin që ky ka në rritjen e çmimeve të tjera, duke filluar nga buka.
“Sot kryeministri Rama nuk është këtu, nuk vjen në Kuvend kur kërkohet në interpelanca apo për debat, sepse shqetësimi i shqiptarëve, çmimet e larta që ndikohen nga rritja e çmimit të karburanteve, nuk janë shqetësimi i tij. Ai erdhi në Kuvend vetëm për të bllokuar drejtësinë dhe arrestimin e Ballukut. Edhe pse ai refuzon të vijë këtu, unë do ta sjell atë në Kuvend. Le të dëgjojnë shqiptarët çfarë thotë ai për naftën dhe çmimet,” tha Bardhi, duke shtuar:
“Rama është bërë bashkëpunëtor në krizë; qytetarët paguajnë më shumë dhe shteti fiton më shumë. Rama nuk heq dorë, duke u sjellë si aksioner i çdo litri naftë.”
