“`html
Shqyrtohet padia e kryebashkiakut Erion Veliaj kundër prokurorit Ols Dado
Sot, në Gjykatën Administrative, po shqyrtohet padia e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kundër prokurorit të SPAK, Ols Dado. Veliaj pretendon se emërimi i Ols Dades si prokuror në vitin 2008 është bërë në kundërshtim me ligjin.
Sipas pretendimit të Veliajt, Dado nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës, duke mos përmbushur kështu kushtet ligjore për t’u kualifikuar si prokuror.
Avokati Plarent Ndreca ka deklaruar se Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) është bërë pjesë e një qasjeje për të mos lejuar shqyrtimin në themel të çështjes. Ai thekson se, bazuar në zhvillimet gjyqësore dhe provat e administruara, rezulton se Presidenti i Republikës, në kohën e dekretimit të Ols Dados, nuk ka kryer verifikime të plota mbi plotësimin e kushteve ligjore.
“Në vend që të kërkojë shqyrtimin në themel të çështjes dhe zbardhjen e së vërtetës juridike mbi vlefshmërinë e dekretit presidencial, përfaqësuesja e KLP-së është paraqitur në gjykim me të njëjtën strategji procedurale si vetë subjekti që është objekt i kontrollit, përmes goditjes së legjitimimit të paditësve. KLP po përpiqet të pengojë vetë shqyrtimin në themel të saj. Pra organi kushtetues që duhet të garantojë ligjshmërinë dhe integritetin e sistemit prokurorial bëhet pjesë e një mekanizmi institucional mbrojtës që synon mbylljen procedurale të një problemi me pasoja shumë të rënda për shtetin e së drejtës”, ka thënë Ndreca.
Debatet në Gjykatën Administrative nxjerrin në pah se presidenti i atëhershëm, Bamir Topi, i cili ka firmosur dekretin për Ols Dadon, ka pasur vetëm një propozim nga Prokurori i Përgjithshëm dhe shkresën përcjellëse.
Avokati Ndreca ka garantuar kërkesën për transparencë të plotë në gjykatë dhe transmetim të drejtpërdrejtë të seancave. Sipas argumenteve të tij, Erion Veliaj, edhe pse në shërbim të kryeqytetit, është prekur nga një vendim i marrë nga një autoritet i dyshimtë, duke dëmtuar interesin e qindra mijëra qytetarëve të Tiranës.
Avokati i Ols Dades i ka kërkuar gjykatës rrëzimin e padisë, duke theksuar se procesi penal ku Erion Veliaj është i pandehur nuk ndikohet nga kjo çështje, pasi aty ekziston edhe një prokuror i dytë, Altin Dumanin.
Kryebashkiaku Veliaj u ka bërë thirrje edhe përfaqësuesve ndërkombëtarë që të marrin pjesë në seancën e 8 majit, ku shqyrtohet padia e tij për emërimin e paligjshëm të prokurorit të posaçëm Ols Dado, dhe t’u kërkojnë drejtësisë transmetimin e drejtpërdrejtë të procesit.
“`
