Vrasja në Sarandë: Rexhep Ismaili ndërhyri për të shpëtuar një person

Motivet e krimit në Sarandë: Rexhep Ismaili ndërhyri për të shpëtuar një person nga rrëmbimi

Biznesmeni Rexhep Ismaili, i cili u vra mbrëmjen e së dielës në Sarandë, nuk rezulton të ketë pasur asnjë konflikt të drejtpërdrejtë me autorin e dyshuar të krimit, Lulzim Tabakun. Hetimet paraprake tregojnë se Ismaili u përfshirë në ngjarje pasi ndërhyri për të mbrojtur një person që ndodhej në lokal.

Sipas burimeve hetimore, ngjarja nisi kur një grup prej të paktën 10 personash të armatosur mbërritën në lokalin ku ndodhej viktima, me qëllim për t’u përballur me një tjetër person, me të cilin dyshohej se kishin konflikte të mëparshme, kryesisht të lidhura me çështje pronësie.

Hetimet paraprake zbulojnë se grupi tentoi të merrte me forcë personin në fjalë. Në atë moment, ndërhyri Rexhep Ismaili, i cili u ka thënë autorëve: “Djali është në shtëpinë tonë dhe nuk e prekni dot këtu.” Kjo ndërhyrje dyshohet se çoi në përshkallëzimin e menjëhershëm të konfliktit dhe më pas në shkëmbimin e zjarrit, gjatë të cilit Ismaili mbeti i vrarë.

Burime nga policia e Sarandës sqarojnë se viktima nuk ishte pjesë e konfliktit fillestar dhe nuk kishte përplasje personale me autorin e dyshuar, por u godit gjatë përshkallëzimit të situatës në ambientet e lokalit.

Në vendngjarje u sekuestrua një automjet që dyshohet se u përkiste autorëve të përfshirë në konflikt. Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe një person tjetër, i cili nuk është paraqitur në spital, por dyshohet se është larguar bashkë me Lulzim Tabakun. Të dy vijojnë të jenë në kërkim.

Pas ngjarjes, policia ngriti pika kontrolli në akset kryesore dhe po zhvillon kontrolle intensive në zonë për të lokalizuar autorin dhe personat e tjerë të përfshirë. Paralelisht, po kryhen verifikime në spitalet rajonale dhe klinikat private për identifikimin e personit të plagosur.

Hetuesit dyshojnë gjithashtu se Lulzim Tabaku mund të jetë larguar drejt Greqisë. Grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në konfliktin e armatosur.

Scroll to Top