Gjykimi ndaj Ilir Metës: Seanca e dytë në GJKKO

Sot në GJKKO zhvillohet seanca e dytë e gjyqit në themel ndaj Ilir Metës.

Në Gjykatën e Posaçme të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) zhvillohet sot seanca e dytë e gjyqit në themel ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Gjatë seancës së kaluar, Meta u shfaq për herë të parë pas kafazit të xhamtë që prej arrestimit të tij. Ai akuzoi sistemin e drejtësisë, duke e cilësuar procesin si të turpshëm.

Meta u shpreh: “Nuk jam unë në pozita të pabarabarta, por ata. Me shpifje dhe gënjeshtra, me kallëzues të rremë, një proces i turpshëm kundër shtetit shqiptar, jo kundër Ilir Metës. Ju ftoj nga sot deri në momentin e fundit, ju ftoj të ndiqni dhe transmetoni live të gjithë procesin. Ju garantoj se mbaj përgjegjësi për çdo veprim, akt dhe sjellje time.”

Meta u shfaq publikisht për mediat për herë të parë që prej arrestimit të tij në tetor 2024, duke shfaqur dukshëm një pamje ndryshe.

Ai ka kërkuar me këmbëngulje që seancat gjyqësore të transmetohen drejtpërdrejt (live), si një mënyrë për të garantuar transparencë.

Meta i drejtoi një kërkesë të veçantë Gjykatës së Posaçme lidhur me këtë çështje vetëm pak ditë më parë, duke shkruar në rrjetet sociale: “Transparenca para qytetarëve shqiptarë dhe llogaridhënia është detyrim për çdo institucion dhe çdo funksionar publik.”

Që prej 21 tetorit 2024, Meta nuk është shfaqur në publik dhe nuk ka dhënë asnjë intervistë, ndërsa imazhi i fundit i tij mbetet ai i momentit të arrestimit.

Ilir Meta përballet me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Scroll to Top