Kryeministri Rama: Brenda vitit 2030, sistemi i ri për prokurimet publike do të përdorë Inteligjencën Artificiale
Procedurat e prokurimeve publike pritet të transformohen rrënjësisht me kalimin drejt një sistemi të ri, i cili do të mundësojë kryerjen e prokurimeve nëpërmjet Inteligjencës Artificiale (IA). Kryeministri Edi Rama, gjatë një konference ku u prezantuan zhvillimet kryesore në fushën e prokurimeve, duke përfshirë legjislacionin dhe procedurat, deklaroi se brenda mandatit aktual do të jetë gati sistemi i ri i prokurimeve.
“Sistemi Diella është në një fazë të re të procesit. Gjatë kësaj periudhe janë hartuar 450 faqe me specifikime teknike të detajuara, të cilat i janë paraqitur Bankës Botërore për shqyrtim. Banka Botërore ka dhënë miratimin dhe jemi gati të kalojmë në një sistem unikal me inteligjencë artificiale. Projekti ynë është pionier në rajon, pasi mundëson përdorimin e inteligjencës artificiale në një masë të konsiderueshme të procesit të prokurimit. Asnjë biznes nuk do të merret më me grumbullimin e letrave për prokurimet publike. Të dhënat do të mblidhen nga DIELLA, duke u bazuar në më shumë se 40 regjistrave publikë, dhe do të vihen në dispozicion për t’u menaxhuar me një klik. Çdo veprim do të jetë i dukshëm në ekran, transparent dhe i menaxhueshëm. Kjo do të zgjidhë problemet lidhur me llogaritjen e fondit publik dhe shqyrtimin e procedurave. Të gjitha veprimet do të kryhen me algoritme nga Diella. Sistemi është projektuar të ndërtohet mbi parimet më të larta të transparencës, të përcaktuara nga institucionet dhe organizatat ndërkombëtare. Do të jemi tërësisht në një fazë të re brenda këtij mandati, për një Shqipëri Europiane 2030.”
Kryeministri Edi Rama theksoi gjithashtu se Shqipëria ka shënuar progres të ndjeshëm në fushën e prokurimeve publike, duke ulur kohëzgjatjen e procedurave dhe duke rritur konkurrencën, krahasuar edhe me disa vende të Bashkimit Europian. Sipas tij, raporti i Gjykatës së Llogarive tregon se Shqipëria ka rezultate konkurruese në krahasim me vendet e BE-së. Ai nënvizoi se 23.5% e procedurave në Shqipëri realizohen me një ofertues, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian është 32.5%. Suedia dhe Finlanda shënojnë 22.9%.
“Kemi mesatarisht 3.7 ofertues për procedurë prokurimi. Në vitin 2025, vetëm 12% e prokurimeve publike u zhvilluan me një ofertues, ndërsa mesatarja e BE-së ishte 14%”, tha Rama, duke shtuar se Shqipëria ndodhet në një fazë të avancuar në këtë sektor.
Nga ana tjetër, negociatorja për Kapitullin 5 “Prokurimi Publik” dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta, deklaroi se institucioni ka përgatitur materialin për Bashkimin Europian me të dhëna të pesë viteve të fundit. Ajo theksoi se deri në gusht 2026, të gjithë punonjësit e fushës do t’i nënshtrohen testimit për certifikimin sipas standardeve të reja.
Kashta nënvizoi gjithashtu se është rritur përdorimi i marrëveshjeve kuadër për të përmirësuar performancën dhe konkurrencën në prokurimet publike. Për herë të parë po matet edhe pjesëmarrja e operatorëve ekonomikë në pronësi të grave. Sipas saj, sistemi i ri i prokurimeve publike do të përfshijë edhe elementë të inteligjencës artificiale, si pjesë e procesit të modernizimit dhe rritjes së efikasitetit në administrimin e procedurave.
