SPAK kundërshton lirimin e Ilir Metës

SPAK kundërshton lirimin e Metës: Vendimi i Gjykatës së Lartë nuk sjell asgjë të re

SPAK ka kundërshtuar kërkesën e paraqitur nga avokati i Ilir Metës për lirimin e tij, duke argumentuar se vendimi i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nuk sjell ndonjë element të ri në këtë proces dhe nuk ndryshon rrethanat mbi të cilat është caktuar masa e sigurisë.

Prokuroria e Posaçme ka theksuar se nuk ekzistojnë kushte të reja që justifikojnë ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Metës.

“Vendimi i Kolegjit të Bashkuar të Gjykatës së Lartë nuk sjell asgjë të re në këtë proces. Mbrojtja nuk ka paraqitur asnjë provë për zëvendësimin e masës, për zbutjen e nevojave të sigurimit apo për dyshimin e arsyeshëm. Nuk ka kushte apo rrethana për zëvendësim mase”, është shprehur prokurori Kllapi.

Nga ana tjetër, avokati Kujtim Cakrani ka kërkuar lirimin e Metës, duke iu referuar edhe një vendimi të fundit të Kolegjit të Bashkuar të Gjykatës së Lartë, i cili lidhet me interpretimin e masave të sigurisë.

Gjatë seancës, Cakrani ka përmendur edhe rastin e ish-drejtoreshës së AKSHI-t, duke deklaruar se “Gjykata e Lartë e liroi atë, ndërsa Metën e mban prej 19 muajsh në paraburgim”. Avokati ka shtuar se mbrojtja është e gatshme të ofrojë edhe garanci pasurore, sipas vlerësimit që mund të caktojë gjykata.

Në sallën e gjyqit kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të Partisë së Lirisë dhe opozitës, mes tyre Tedi Blushi, Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Bujar Leskaj, të cilët kanë ndjekur nga afër zhvillimet e seancës.

Scroll to Top