Kallas refuzon ish-kancelarin gjerman si ndërmjetës në bisedimet për Ukrainën
Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, deklaroi të hënën se ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder nuk është i përshtatshëm për të përfaqësuar Evropën në asnjë bisedim paqeje për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë.
Presidenti rus Vladimir Putin sugjeroi gjatë fundjavës që Schröder, i cili shërbeu si kancelar gjerman nga viti 1998 deri në vitin 2005, mund të përfaqësonte vendet evropiane në bisedimet e paqes. Schröder më parë ka mbajtur pozicione në kompanitë shtetërore ruse të energjisë.
“Së pari, nëse i japim të drejtën Rusisë të emërojë një negociator në emër tonë, kjo nuk do të ishte shumë e mençur,” tha Kallas gjatë rrugës për në një takim të ministrave të jashtëm në Bruksel.
“Dhe së dyti, mendoj se Gerhard Schröder ka qenë lobist i nivelit të lartë për kompanitë shtetërore ruse, kështu që është e qartë pse Putini dëshiron që ai të jetë personi i duhur, në mënyrë që të ulet në të dyja anët e tryezës,” shtoi ajo.
Deri më tani, SHBA-të kanë vepruar si ndërmjetësuesi kryesor në bisedimet Rusi-Ukrainë, ndërsa Evropa ka qenë në anë të bisedimeve, megjithëse disa udhëheqës kanë bërë thirrje që Evropa të marrë një rol më aktiv.
Gjatë fundjavës, Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul tha se Evropa duhet të marrë pjesë në bisedime, e përfaqësuar nga zyrtarë nga i ashtuquajturi grupi i fuqive E3 – Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar.
I pyetur se në çfarë kushtesh BE-ja mund të pranonte të hynte në bisedime të drejtpërdrejta me Putinin, Kallas tha se Moska duhet të bënte lëshime dhe përmendi tërheqjen e trupave ruse nga Moldavia si një hap të mundshëm për të përfshirë më shumë evropianët.
“Çështja e sigurisë evropiane është se Rusia po sulmon vazhdimisht fqinjët e saj,” shtoi ish-kryeministrja estoneze. “Dhe për këtë na duhen lëshime edhe nga pala ruse. Javën e kaluar isha në Moldavi [ku] ka trupa ruse, për shembull. Ky mund të jetë një nga kushtet për të pasur siguri dhe stabilitet në rajon, që ata të largojnë trupat e tyre.”
