Shqetësime për procesin gjyqësor të Ilir Metës

Kryemadhi: Në SHBA edhe vrasësit ulen me avokatin, jo si Meta pas xhamit

Monika Kryemadhi foli sot në seancën gjyqësore ndaj Ilir Metës në Gjykatën e Lartë të Krimeve dhe Korrupsionit (GJKKO), ku shprehu shqetësime lidhur me provat dhe materialet hetimore të vëna në dispozicion nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Kryemadhi deklaroi se mbështet kërkesat e avokatit të Metës, Kujtim Cakrani, në lidhje me mbajtjen e Metës brenda një kafazi prej xhami gjatë procesit.

“Jam dakord me kërkesat e avokatit Cakrani. Sallat janë tipike amerikane, por ka një ndryshim, edhe vrasësit serialë atje ulen me avokatin përkrah,” u shpreh ajo.

Ish-deputetja tha se ka marrë një USB me prova nga akuza, por sipas saj, materiali nuk hapet. Ajo kërkoi që t’i vihen në dispozicion të gjitha aktet dhe përgjimet.

“Kërkoj të merren masa që të më vihen në dispozicion siç duhet. Nuk më janë vënë në dispozicion aktet për çdo përgjim familjarëve,” deklaroi Kryemadhi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e SPAK thanë se USB-ja është marrë në gjykatë dhe problemi do të zgjidhet. “Do ta zgjidhim, do ta japim,” u shpreh prokuroria.

Debati vijoi edhe për përgjimet ambientale, ku Kryemadhi insistoi se në listën e provave përmenden mbi 20 përgjime, por sipas saj, ato nuk ndodhen në materialet e dorëzuara.

“Dua edhe përgjimet. Në listën e provave thuhet që ekzistojnë mbi 20 përgjime ambientale, kështu që duam t’i marrim. Në ato materiale nuk ekzistojnë,” tha ajo.

Gjykata sqaroi se nuk mund të japë materiale që nuk i disponon, ndërsa theksoi se është detyrim i organit procedues t’ua vërë ato në dispozicion palëve.

Scroll to Top