Fitim Rekord Banka e Shqipërisë nga Rritja e Arit

Banka e Shqipërisë shënoi fitim rekord prej 123 milionë eurosh nga rritja e çmimit të arit në vitin 2025

Banka e Shqipërisë ka realizuar një fitim prej pothuajse 123 milionë eurosh nga rritja e çmimeve të arit vitin e kaluar. Sipas pasqyrave financiare të audituara të Bankës Qendrore, e ardhurat vjetore nga rivlerësimi i rezervës së arit arritën në rreth 11.87 miliardë lekë për vitin 2025. E ardhurat nga ndryshimi në vlerën e drejtë të arit monetar u rritën me 109% krahasuar me një vit më parë.

Gjatë nëntorit dhe dhjetorit 2025, Banka e Shqipërisë vendosi gjithashtu të rrisë rezervat e arit, duke blerë sasi të reja me një vlerë totale prej 2.98 miliardë lekësh. Rritja e vlerës së rezervave ekzistuese dhe zgjerimi i tyre solli një shtim të ndjeshëm të rezervave të arit të Bankës Qendrore gjatë vitit të kaluar.

Referuar pasqyrave të audituara financiare të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2025 vlera e rezervave të arit, e shprehur në monedhën vendase, arriti në 41.6 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 55.5% krahasuar me një vit më parë. Në fund të vitit 2025, ari përbënte afërsisht 6% të vlerës së mjeteve të rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë.

Rritja e çmimeve të arit në tregjet ndërkombëtare ka pasur një efekt të fortë pozitiv në bilancin e Bankës Qendrore. Ky efekt u zbut vetëm pjesërisht nga kursi i këmbimit dhe forcimi i vazhdueshëm, edhe pse me ritme më të ngadalta, i Lekut.

Gjatë vitit 2025, çmimet e arit në tregjet ndërkombëtare u rritën ndjeshëm, me rreth 70% krahasuar me një vit më parë. Kjo rritje u ndikua nga faktorë të ndryshëm, duke filluar nga tensionet gjeopolitike. Ari priret të rritet në periudha pasigurie, pasi konsiderohet si një aset i sigurt dhe i qëndrueshëm. Një faktor specifik që ka kontribuar në rritjen e çmimeve të arit kanë qenë edhe blerjet e mëdha nga Bankat Qendrore të vendeve të ndryshme të botës.

Rritja e çmimit të arit dha një efekt të konsiderueshëm pozitiv në bilancin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2025, duke kompensuar humbjet e vazhdueshme nga efekti negativ i kursit të këmbimit. Rezultati financiar neto për vitin 2025 ishte me fitim prej 2 miliardë lekësh. Fitimi pësoi një rënie prej 61% krahasuar me një vit më parë, por megjithatë mbeti pozitiv për të dytin vit radhazi, duke kompensuar pjesërisht humbjet e larta të regjistruara në vitet 2022-2023.

Faktori me ndikimin kryesor në ecurinë e rezultatit të Bankës së Shqipërisë në vitet e fundit ka qenë efekti i kursit të këmbimit. Banka e Shqipërisë mban një rezervë të madhe në valutë të huaj, si mjet i domosdoshëm për të përballuar nevojat emergjente të ekonomisë dhe sektorit financiar. Duke qenë se bilanci i Bankës së Shqipërisë raportohet në monedhën vendase, forcimi i vazhdueshëm i Lekut ka ulur vlerën në lek të rezervave të mbajtura në valutë të huaj. Për vitin 2025, humbjet neto nga ndryshimet e kurseve të këmbimit kishin vlerën e 24.1 miliardë lekëve. Humbjet në këtë zë u rritën me 79% krahasuar me një vit më parë.

Burimi: BSH

Scroll to Top