Vala e të nxehtit godet Portugalinë: Termometri arrin në 40.3 gradë, duke thyer rekordin e muajit maj
Një rekord i ri nxehtësie për muajin maj u regjistrua në Portugali, me temperaturën maksimale që arriti në 40.3 gradë Celsius. Kjo temperaturë u regjistrua të mërkurën në Mora, në pjesën qendrore të vendit, siç njoftoi shërbimi meteorologjik portugez. Rekordi i mëparshëm, prej 40 gradësh Celsius, ishte vendosur në maj të vitit 2001.
Vendi iberik po goditet gjithashtu nga një valë e hershme e të nxehtit, e cila po përjeton edhe një pjesë e madhe e Evropës. Temperaturat janë rritur në nivele anormalisht të larta që nga fillimi i javës, veçanërisht në Francë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Itali.
Sipas shërbimit meteorologjik të Portugalisë, vendi ka përjetuar një valë të nxehti që nga 20 maji, me një “probabilitet shumë të lartë” për të vazhduar deri në fillim të qershorit. Instituti Portugez për Detin dhe Atmosferën (IPMA) paralajmëroi në një njoftim për shtyp se “vala aktuale e të nxehtit mund të jetë më e gjata…dhe më intensive për muajin maj”.
Pjesa më e madhe e territorit portugez ishte në “alarm të verdhë” dje dhe sot për shkak të këtij episodi të nxehtësisë së vazhdueshme, i cili ka rezultuar në një rritje të shtrimeve në spital, sipas Ministres së Shëndetësisë Ana Paula Martins.
