Maran: Përmirësime në sulm, por duhet ekuilibër

Zero gjuajtje në portë, Maran sheh përmirësime në krahasim me Silvinjon: Skuadra bëri më shumë sesa ishte mësuar të bënte

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, vlerëson se ekipi ka treguar më shumë ambicie në fazën ofensive në krahasim me kohën kur drejtohej nga Silvinjo, edhe pse miqësorja kundër Izraelit u mbyll me humbje dhe pa asnjë goditje drejt portës.

“Sigurisht ka pasur aspekte pozitive dhe negative. Është e vërtetë që nuk pati asnjë gjuajtje në katërkëndor, ishim të pasaktë. Por sipas meje, skuadra, duke parë edhe statistikat, ka tentuar më shumë të afrohet pranë portës sesa ishte mësuar të bënte. Megjithatë, kjo ka rëndësi të vogël, u mundëm, le t’i lëmë shifrat. Kemi bërë gjëra pozitive dhe gjëra negative. Kemi shtuar mënyrën e presionit më lart, për të pasur më shumë lojtarë në sulm. Kjo solli humbje ekuilibri në pjesën e dytë, në 30 minutat e fundit, ku dukeshim më pak të lidhur, ndoshta edhe nga dëshira për të rikuperuar. Por kjo nuk duhet të ndodhë. Fakti që kërkuam më shumë presion më të lartë, me shumë mundësi solli këtë çrregullim dhe këtu del ana negative. Por sipas meje, nga pikëpamja e ndërtimit të aksioneve, kishte gjëra që nuk u finalizuan me gjuajtjen në portë, por u finalizuan si lëvizje. Pasi arritëm në konkluzione të mira, duke u afruar portës, ia dolëm me anë të manovrës, duke ndërtuar shumë më tepër se kundërshtarët. Pastaj, për fat të keq, kemi çerekun e fundit të ndeshjes që nuk ishte aspak i bukur për ne, absolutisht.”

Lidhur me bisedën me Maraner, ai sqaroi: “Ishte vetëm për të analizuar ndjesitë. Jam mësuar ta bëj këtë, sepse mundohem të kem një përballje me bashkëpunëtorët, siç bëhet gjithmonë. Ne e bëjmë në fushë, jo në dhomat e zhveshjeve, asgjë e veçantë, gjëra që bëj gjithmonë.”

Për ndryshimet në ndeshjen e radhës, Maran theksoi: “Padyshim duhet të jemi të aftë të bëjmë presion në mënyrë më të vendosur, pa humbur ekuilibrin. Sot, për çështje bujarie, duke u përpjekur të bënim presion lart, humbëm ekuilibrin. Kjo ishte diçka që edhe ua kisha kërkuar djemve, që të bënim presion edhe duke rrezikuar diçka. Por në një pikë të caktuar, ky rrezik u bë shumë i madh. Nuk duhet të bëjmë këtë gabim, duhet të jemi të aftë të bëjmë presion, të bëjmë ndeshjen, por duke mos lënë shumë hapësirë në fazën e tranzicionit. Ne duhet të shohim kundërshtarin deri në një pikë, por duhet të rritemi ne. Sot duket gjithçka negative, por ka aspekte pozitive, sepse sipas meje u përpoqëm të bënim diçka që në disa momente u pa. Duhet të punojmë mbi ato që janë karakteristikat tona dhe gjërat që duhen përmirësuar, pa parë kundërshtarin apo rezultatet që ka bërë,” u shpreh Maran para gazetarëve.

Scroll to Top