Hekurudha Durrës-Tiranë-Rinas do të jetë funksionale në fund të vitit 2027. Ka nisur kërkimi për operatorin privat dhe trenat.
Qeveria ka filluar procesin e kërkimit për operatorët që do të ofrojnë shërbimin publik hekurudhor për linjën Durrës-Tiranë-Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës. Ky operator do të ketë gjithashtu përgjegjësinë për sigurimin e trenave.
Thirrja për shprehje interesi, e publikuar më 27 maj 2026 nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në bashkëpunim me Hekurudhën Shqiptare, fokusohet pikërisht në këtë aspekt. Kompanitë ose konsorciumet e interesuara kanë afat deri më 26 korrik 2026 për të dorëzuar shprehjen e tyre të interesit.
Sipas dokumentit, kontrata e ardhshme do të fillojë me operimin e shërbimeve në korridorin Durrës–Tiranë–Rinas, ndërsa procedura e tenderimit pritet të hapet në tremujorin e katërt të vitit 2026. Nisja e shërbimeve për pasagjerë parashikohet të ndodhë në tremujorin e katërt të vitit 2027.
Operatori që do të kontraktohet duhet të sigurojë mjetet lëvizëse, pra trenat. Këto mund të jenë të reja, të përdorura ose me qira. Dokumenti favorizon përdorimin e njësive elektrike, por nuk përjashton mjete të tjera, për sa kohë ato plotësojnë kërkesat teknike dhe operative.
Për fazën fillestare, shërbimi hekurudhor parashikohet në dy linja:
- Tiranë–Durrës, me një gjatësi prej 37.9 kilometra.
- Tiranë–Aeroport, me një gjatësi prej 15.4 kilometra.
Në ditë pune, parashikohen 44 shërbime në linjën Tiranë–Durrës, që do të thotë rreth 22 çifte udhëtimesh në ditë. Për linjën Tiranë–Aeroport, parashikohen 74 shërbime, ose 37 çifte udhëtimesh në ditë pune.
Dokumenti vlerëson se për këtë fazë do të nevojiten katër njësi elektrike treni, ose gjashtë nëse përfshihen edhe njësitë rezervë. Shërbimet fillestare pritet të arrijnë rreth 1.1 milion kilometra trenash në vit, duke përfshirë edhe lëvizjet pa pasagjerë.
Kontrata pritet të ketë një kohëzgjatje prej 10 deri në 15 vjet. Modeli i parashikuar është kontratë “bruto”, ku pagesa për operatorin do të bazohet në kilometrat e kryer nga trenat, ndërsa risku i shitjes së biletave do të mbulohet nga institucionet.
Mund të përfshihen edhe mekanizma bonusi ose penaliteti, në varësi të cilësisë dhe përpikmërisë së shërbimit.
Në të ardhmen, kontrata mund të zgjerohet për të përfshirë linjat Tiranë–Hani i Hotit dhe Durrës–Pogradec, në varësi të përfundimit të projekteve të modernizimit të rrjetit hekurudhor. Sipas dokumentit, linja drejt Hanit të Hotit mund të hapet në vitin 2030, ndërsa ajo drejt Pogradecit në vitin 2035.
Pas mbylljes së afatit për shprehjen e interesit, palët e interesuara pritet të ftohen në një punëtori konsultimi në tremujorin e tretë të vitit 2026. Informacioni i mbledhur do të përdoret për përgatitjen e procedurës konkurruese për kontratën e shërbimit publik hekurudhor të pasagjerëve.
