Riaplikim kompensim fëmijë: Tatimet sqarojnë procedurën

Tatimet sqarojnë procedurën e riaplikimit për kompensimin e fëmijëve kur mungojnë faturat

Kushdo që ka aplikuar për kompensim pas zbritjes së shpenzimeve arsimore për fëmijët dhe nuk ka ngarkuar në sistem faturat e fiskalizuara, do t’i refuzohet kërkesa.

Për këtë kategori aplikuesish, administrata tatimore ka nisur dërgimin e njoftimeve për individët të cilët nuk kanë ngarkuar dokumentacionin justifikues të shpenzimeve dhe si pasojë, nuk janë përfitues të zbritjes. Kjo kategori përfshin individë me fëmijë në ngarkim dhe me të ardhura vjetore bruto nën 1.2 milionë lekë.

Gjatë plotësimit të Deklaratës Vjetore të të Ardhurave (DIVA), kjo kategori përfiton, përveç zbritjes së shpenzimeve në vlerën 48 mijë lekë për çdo fëmijë në ngarkim, edhe zbritje të shpenzimeve arsimore deri në vlerën 100 mijë lekë. Këto të fundit duhet të justifikohen me fatura të fiskalizuara.

Sipas njoftimit dërguar nga tatimet, individët informohen se nuk janë përfitues të zbritjes për arsyen se “Ju nuk keni ngarkuar fatura tatimore”.

Megjithatë, nëse individët disponojnë faturat e fiskalizuara që justifikojnë shpenzimet arsimore, e drejta për përfitimin e kompensimit nuk humbet, pavarësisht refuzimit fillestar të aplikimit.

Administrata tatimore sqaroi se këta individë mund të aplikojnë sërish, duke ngarkuar në sistem faturat e fiskalizuara të shpenzimeve arsimore për fëmijët.

“Në parim, kur një kërkesë për rimbursim refuzohet, ashtu si në rastin e bizneseve, aplikimi duhet të kryhet nga e para. Individët duhet të ngarkojnë faturat e fiskalizuara dhe të ndjekin udhëzimet që do të jepen nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve”, sqaruan tatimet.

Inspektorët tatimorë po i udhëzojnë individët, të cilëve u janë refuzuar aplikimet, për mënyrën e riaplikimit dhe ngarkimin e dokumentacionit përkatës.

Sipas të dhënave, për individët që përfitojnë si zbritjen prej 48 mijë lekësh për çdo fëmijë në ngarkim, ashtu edhe zbritjen e shpenzimeve arsimore (kur të ardhurat vjetore janë nën 1.2 milionë lekë), masa e kompensimit mund të arrijë deri në 250 euro.

Shembull 3: Të ardhura nën 1,2 mln lekë në vit, 2 fëmijë në ngarkim

Individi C kishte të ardhura bruto vjetore për vitin 2025 prej 1,189,374 lekë. Tatimi i paguar vjetor ishte 107,820 lekë.

Individi C ka dy fëmijë të moshës 5 dhe 9 vjeç, ku njëri ndjek arsimin fillor në shkollë private. Përveç zbritjes së shpenzimeve për fëmijët në ngarkim me vlerë 96,000 lekë, individi përfiton edhe zbritje shpenzimi prej 100,000 lekë për arsimin e fëmijëve, pasi të ardhurat nuk kalojnë kufirin e 1.2 milionë lekëve në vit dhe disponon dokumentacionet justifikuese (faturat e shkollës private).

Pas vendosjes së këtyre të dhënave, sistemi gjeneroi automatikisht tatimin e mbipaguar, apo kompensimin, me vlerë 25,481 lekë.

Konkretisht, nisur nga të dhënat në DIVA, individi ka përfituar:

  • Zbritje nga të ardhurat nga punësimi sipas nenit 22, pika 1, germat a, b dhe c me vlerë 360,000 lekë.
  • Shumë kompensimi për çdo fëmijë në ngarkim të tij më pak se 18 vjeç me vlerë 96,000 lekë (gjeneruar automatikisht nga sistemi).
  • Shpenzime për arsimin e fëmijëve me vlerë 100,000 lekë (shtuar nga deklaruesi, pasi disponon dokumentacionin justifikues dhe të ardhurat bruto vjetore janë nën 1.2 mln lekë).

Pas zbritjes së shpenzimeve, totali i të ardhurave bruto arrin 633,374 lekë. Tatimi i rillogaritur pas zbritjes së shpenzimeve është 82,339 lekë.

Tatimi i mbipaguar rezulton: 107,820 lekë (tatimi i paguar për 2025) – 82,339 lekë (tatimi i rillogaritur pas zbritjes së shpenzimeve) = 25,481 lekë.

Scroll to Top