Ishulli italian i Sardenjës, pavarësisht bukurive natyrore dhe fluksit turistik, po përballet me një tkurrje të popullsisë së përhershme. Numri i banorëve ka rënë ndjeshëm gjatë tre dekadave të fundit, me një tendencë largimi të të rinjve drejt qendrave më të mëdha urbane për shkak të mungesës së mundësive për punë dhe normës së ulët të lindshmërisë.
Për të nxitur rikthimin dhe mbijetesën e fshatrave të vegjël, rajoni ka ndërmarrë një iniciativë financiare të konsiderueshme. Programi ofron deri në 15,000 euro për blerjen ose renovimin e një shtëpie në fshatrat me më pak se 3,000 banorë. Gjithashtu, ofrohet një mbështetje financiare deri në 20,000 euro për ata që duan të hapin një biznes të vogël në këto zona.
Për të inkurajuar rritjen familjare, ofrohet një pagesë mujore prej 600 euro për fëmijën e parë dhe 400 euro për çdo fëmijë pasues deri në moshën 5 vjeç. Disa bashki ofrojnë stimuj shtesë, ndërsa vende si Ollolai janë bërë të njohura për iniciativën e “shtëpive 1 euro”. Megjithatë, numri i emigrantëve të huaj që zgjedhin Sardenjën si vendbanim mbetet relativisht i ulët, duke përbërë vetëm 3.3% të popullsisë totale.