Sekuestrohet kamion me një ton drogë me vlerë rreth 55 milionë euro në kufirin Turqi-Greqi
Më shumë se një ton drogë, e fshehur brenda një kamioni, u sekuestrua këtë javë nga dogana turke në kufirin me Greqinë. Lajmi u bë i ditur nga autoritetet turke.
Sipas Ministrisë turke të Tregtisë, ngarkesa, vlera e së cilës në treg arrin në më shumë se 55 milionë euro, u zbulua në pikën kufitare në Ipsala (Turqia veriperëndimore) dhe përmbante kryesisht metamfetaminë, heroinë dhe opium të papërpunuar.
Sipas agjencive private të lajmeve DHA dhe IHA, siç raportohet nga Agjencia e Lajmeve të Athinës, kamioni kishte mbërritur nga Irani.
Autoritetet turke kanë njoftuar se gjatë vitit 2025 kanë sekuestruar gjithsej 33.6 tonë drogë me një vlerë tregu prej gati 840 milionë eurosh.
