Gjermania ofron bonus rekord për arritjen e titullit të pestë botëror
Gjermania, tashmë katër herë kampione e botës, synon të shtojë edhe një yll të pestë në trofeun e saj. Federata Gjermane e Futbollit (DFB) ka paralajmëruar një bonus rekord për lojtarët e kombëtares në rast triumfi në Kupën e Botës.
Megjithëse shuma e saktë nuk është bërë publike, drejtori menaxhues Andreas Retig ka konfirmuar se bëhet fjalë për një shumë “të konsiderueshme”, më të lartë se ajo e shpërndarë në Katar. Tre vjet e gjysmë më parë, lojtarët përfituan 400.000 euro secili për fitimin e titullit, por Gjermania u eliminua në fazën e grupeve, siç kishte ndodhur edhe në vitin 2018.
Retig ka theksuar se nuk ka pasur negociata të vështira me skuadrën, përfshirë kapitenin Xhoshua Kimmich. Sipas tij, lojtarët kanë aq shumë besim te vetja sa që bonusi do të ishte “praktikisht zero” në rast eliminimi të hershëm. Në këmbim të këtij optimizmi, nëse skuadra fiton titullin, DFB do të ofrojë një shpërblim më të lartë.
Mbrojtësi Xhonatan Tah ka konfirmuar se palët janë pranë një marrëveshjeje përfundimtare, duke e cilësuar situatën “shumë afër” dhe “në rrugën e duhur”.
Megjithatë, Kimmich ka sqaruar se paraja nuk është motivi kryesor i lojtarëve. “Është një bonus i këndshëm, diçka që e meriton kur arrin rezultate. Por suksesi na motivon më shumë sesa paratë,” ka thënë ai.
Retig ka shtuar se DFB ka krijuar një “rezervë sigurie” për shkak të kostove të larta të turneut dhe faktit se FIFA paguan shpërblimet në dollarë. Fryma e negociatave ka qenë e qartë: “Luani futboll dhe sigurohuni që të fitoni titullin ose të arrini sukses, pastaj ne nuk do t’ju kursejmë në shpërblime.”
