Rivlerësimi i pasurive me taksë 5%: Tatimet raportojnë 84 milionë euro kursime për qytetarët dhe bizneset
Që nga fillimi i procesit të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme në shkurt, individët dhe bizneset kanë përfituar rreth 84 milionë euro falë zbatimit të një tatimi të reduktuar prej 5%. Këto të dhëna janë bërë publike nga administrata tatimore.
Procesi i rivlerësimit u ofron përfitime atyre individëve që synojnë të shesin një pasuri të paluajtshme, por edhe atyre pronarëve që i kanë regjistruar pronat e tyre me një vlerë më të ulët se ajo e tregut. Në të dyja këto situate, tatimi i llogaritur, bazuar në diferencën mes vlerës së mëparshme të regjistruar të pronës dhe vlerës së re të shitjes apo vlerës së tregut, do të jetë 5%, krahasuar me 15% që aplikohet zakonisht.
“Janë kursyer 84 milionë euro nga reduktimi i tarifave tatimore për pasuritë e paluajtshme, falë procesit të rivlerësimit! Individët dhe bizneset kanë përfituar nga ky proces, duke ulur kostot fiskale dhe duke shfrytëzuar lehtësitë ligjore në fuqi.”
Sipas administratës tatimore, afati për kryerjen e rivlerësimit përfundon më 31 Dhjetor 2026. “Koha për të përfituar vazhdon. Informohuni dhe shfrytëzoni këtë mundësi ligjore për të reflektuar vlerën reale të pronës suaj dhe për të përfituar nga lehtësitë e parashikuara në ligj.”
Nga data 2 shkurt 2026 deri më 27 prill 2026, sipas të dhënave të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), të vëna në dispozicion për Monitor nga NAREA, kanë aplikuar gjithsej 9,532 qytetarë. Megjithatë, deri më tani, vetëm 22% e aplikuesve, pra 2,114 prej tyre, kanë paguar tatimin 5% për rivlerësimin e pronave. Totali i tatimit të paguar nga këta qytetarë dhe transferuar në administrate tatimore llogaritet në 1.59 miliardë lekë.
53% e aplikimeve rezultojnë me tatim të papaguara (5,053 aplikime të përllogaritura nga ASHK por të papaguara). Ndërsa 25% e tyre, ose 2,365 aplikime, rezultojnë të refuzuara nga ASHK.
Numri më i madh i aplikimeve është përqendruar në Tiranë dhe Durrës. 42% e totalit të aplikimeve janë nga Tirana, ndërsa 18% nga qytetet Durrës, Kavajë dhe Krujë. Aplikimet nga qyteti i Vlorës përbëjnë 6%, në Lezhë janë përqendruar 4.5% e tyre, në Sarandë 4%, në Fier 4% dhe kështu me radhë.
