Lufta Iran, Ekonomia Globale & Energjia e Rinovueshme

## Analiza e New York Times: Si Lufta në Iran Ndryshoi Përgjithmonë Ekonominë Globale

Marrëveshja kornizë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po shihet si një hap i rëndësishëm drejt uljes së tensioneve në Lindjen e Mesme, duke hapur rrugën për stabilitet më të madh në tregjet globale të energjisë dhe tregtisë. Pas muajsh pasigurie dhe luhatjesh të forta në çmimet e naftës dhe gazit, kjo marrëveshje krijon kushtet për rikthimin gradual të besimit në ekonominë globale.

Analistët vlerësojnë se, pavarësisht sfidave të mbetura, situata e re mund të shërbejë si katalizator për investime të reja dhe modernizimin e sistemeve energjetike në mbarë botën. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse transporti detar do të mund të lëvizë lirshëm përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila është e vetmja rrugë detare për transportimin e naftës, gazit dhe ngarkesave të tjera nga Gjiri Persik.

Irani ka shprehur kërkesa për vendosjen e tarifave për anijet që kalojnë në këtë kanal të ngushtë ujor, një veprim ky që mund të bie ndesh me marrëveshjet ndërkombëtare. Edhe nëse këto pagesa të reja nuk materializohen, Irani ka demonstruar aftësinë për të ndërprerë tregtinë sipas dëshirës, duke rritur kështu rreziqet dhe kostot.

Siç shprehet Maurice Obstfeld, ish-ekonomist kryesor në Fondin Monetar Ndërkombëtar, për NYT: “Mendoj se ngushtica nuk do të kthehet kurrë në sigurinë e kalimit të lirë me të cilën jemi mësuar.”

Gjithashtu, besimi në paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rritje të rajonit është tronditur. Një nga zhvillimet pozitive që ka dalë nga kjo krizë është përshpejtimi i kalimit drejt energjisë së rinovueshme. Sipas ekspertëve, vendet e prekur nga pasiguria e furnizimeve po investojnë gjithnjë e më shumë në energjinë diellore, të erës dhe teknologjitë e ruajtjes së energjisë.

Në prill, sektori energjetik global arriti një moment historik, ku energjia e erës dhe ajo diellore prodhuan më shumë energji elektrike sesa gazi natyror për herë të parë. Ekspertët e industrisë e konsiderojnë këtë një pikë kthese që tregon se energjia e pastër po bëhet gjithnjë e më konkurruese dhe e përballueshme.

Përmirësimet e fundit në teknologjinë e baterive dhe ulja e kostove të automjeteve elektrike po e bëjnë tranzicionin energjetik më të shpejtë se kurrë më parë. Investimet në projekte të energjisë së rinovueshme po ofrojnë gjithashtu kthime më të shpejta financiare, duke tërhequr interesin e investitorëve ndërkombëtarë.

Ndërkohë, vendet po punojnë për të diversifikuar burimet e tyre të energjisë dhe për të forcuar sigurinë energjetike. Kjo pritet të reduktojë varësinë nga furnizimet tradicionale dhe të krijojë një sistem më të qëndrueshëm për dekadat e ardhshme.

Scroll to Top