Kongo: Numri i të vdekurve nga epidemia e Ebolës arrin në 202
Numri i viktimave nga shpërthimi i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos ka kaluar 200, një muaj pasi verilindja e vendit u shpall në gjendje të jashtëzakonshme. Këto të dhëna u bënë të ditura nga Qendrat Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC), agjencia shëndetësore e Bashkimit Afrikan.
Testet laboratorike kanë konfirmuar 875 raste të infektuar me virusin, nga të cilët 202 kanë humbur jetën që nga 15 maji. Kjo shkallë vdekshmërie arrin në 23%.
Në Ugandën fqinje, janë regjistruar 19 raste të konfirmuara dhe dy vdekje.
Shpërthimi aktual i etheve hemorragjike është shkaktuar nga lloji Budibugyo, për të cilin nuk ekziston vaksinë apo trajtim specifik.
Epiqendra e shpërthimit ndodhet në provincën Ituri, në verilindje të RDK-së. Kjo zonë është e vështirë për t’u aksesuar për shkak të kushteve të këqija të rrugëve dhe pranisë së grupeve të armatosura.
Oussam Mankoula, kreu i emergjencave të CDC-së për Afrikën, shprehu shqetësimin se gjurmimi i kontakteve në RDK mbetet i pamjaftueshëm “për shkak të problemeve të sigurisë dhe aksesit në disa zona”.
Në kontrast, shpërthimi në Ugandë është “nën kontroll”.
Ebola, e cila përhapet përmes lëngjeve trupore dhe kontaktit të ngushtë, ka shkaktuar më shumë se 15,000 vdekje në Afrikë gjatë gjysmë shekulli.
