Trump mohon pagesën prej 300 miliardë dollarësh për Iranin nga SHBA
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mohuar kategorikisht se Shtetet e Bashkuara do të paguajnë 300 miliardë dollarë Iranit. Ky reagim vjen pavarësisht një memorandumi mirëkuptimi të cilin ai e ka nënshkruar, ku përmendet një plan i mbështetur nga SHBA prej të paktën 300 miliardë dollarësh për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Iranit.
Trump ka shkruar në platformën Truth Social: “Nuk ka asnjë pagesë prej 300 miliardë dollarësh për Iranin nga SHBA-të. Këto janë lajme të rreme! E tëra çfarë ka për SHBA-në është suksesi, çmime më të ulëta të naftës dhe fitorja. Hidhini një sy tregut të aksioneve. Propaganda demokrate në veprim!!!”.
Fondi i përmendur në memorandum përshkruhet si i përbërë nga kapital i sektorit privat. Ai do të mbështetet nga angazhime nga kompani nga Shtetet e Bashkuara, shtetet arabe të Gjirit, Azia, Amerika e Jugut dhe Afrika, pa përfshirë fonde ose grante qeveritare.
Sipas një zyrtari amerikan, neni gjashtë i memorandumit të mirëkuptimit specifikon se Shtetet e Bashkuara do të bashkëpunojnë me partnerët rajonalë për të zhvilluar planin dhe për të dhënë licencat, përjashtimet dhe miratimet e nevojshme për transaksionet financiare të lidhura.
Zyrtari amerikan citohet të ketë thënë: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës zotohen, së bashku me partnerët rajonalë, të zhvillojnë një plan përfundimtar, të dakordësuar reciprokisht, prej të paktën 300 miliardë dollarësh amerikanë për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Republikës Islamike të Iranit. Mekanizmi për zbatimin e këtij plani do të finalizohet si pjesë e marrëveshjes përfundimtare brenda 60 ditëve. Të gjitha licencat, përjashtimet dhe miratimet e kërkuara për transaksionet financiare përkatëse do të jepen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
