Investime 8.5 Miliardë USD për Klimën në Shqipëri

Fatura e klimës: 5 sektorë kërkojnë mbi 8.5 miliardë dollarë investime

Zhvillimi urban, transporti, energjia, pylltaria dhe bujqësia pritet të përthithin më shumë se 8.5 miliardë dollarë investime, si pjesë e Planit Kombëtar të Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike, i cili ka hyrë tashmë në fuqi. Kjo shumë përbën pjesën dërrmuese të kostos totale prej 9.8 miliardë dollarësh, që qeveria ka vlerësuar për dekadën e ardhshme.

Dokumenti thekson se këta sektorë janë më të ekspozuarit ndaj rreziqeve klimatike dhe në të njëjtën kohë, fusha ku nevojiten investimet më të mëdha për të rritur rezistencën e ekonomisë dhe infrastrukturës së vendit.

Sipas planit:

  • Zhvillimi urban përfaqëson zërin më të madh financiar, me koston totale të masave prioritare të vlerësuar në 2.72 miliardë USD.
  • Pylltaria renditet e dyta, me koston e masave prioritare të vlerësuar në 2.13 miliardë dollarë.
  • Transporti kërkon investime prej 2.04 miliardë dollarësh për masat prioritare.
  • Sektori energjetik parashikohet të kërkojë 1.96 miliardë dollarë financim për masat prioritare.
  • Bujqësia, një nga sektorët më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve klimatike, llogaritet të ketë nevojë për 678 milionë dollarë investime për masat prioritare.

Dokumenti argumenton se investimet urbane janë të lidhura me rritjen e rrezikut nga përmbytjet, temperaturat ekstreme dhe presioni mbi infrastrukturën ekzistuese. “Integrimi i konsideratave klimatike në planifikimin urban dhe territorial është thelbësor për reduktimin e vulnerabilitetit”, thuhet në dokument.

Për sektorin e transportit, plani identifikon ekspozimin e drejtpërdrejtë të rrugëve, urave dhe aseteve të tjera publike ndaj fenomeneve ekstreme të motit. “Infrastruktura e transportit është e ekspozuar ndaj përmbytjeve dhe ngjarjeve të tjera ekstreme klimatike”, thuhet në plan.

Në energji, shqetësimi kryesor lidhet me varësinë e sistemit nga hidrocentralet. “Varësia e lartë nga prodhimi hidroenergjetik rrit ekspozimin ndaj thatësirave dhe ndryshimeve në regjimin hidrologjik”, thuhet në dokument, duke paralajmëruar se ndryshimet klimatike mund të paraqesin rrezik për sigurinë energjetike të vendit.

Në sektorin rural, dokumenti identifikon bujqësinë si një nga aktivitetet ekonomike më të ekspozuara. “Bujqësia është ndër sektorët më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve klimatike”, thuhet në dokument. Gjithashtu, plani nënvizon se fermerët e vegjël përballen me rreziqe më të mëdha nga thatësirat, temperaturat e larta dhe luhatjet e reshjeve, duke u konsideruar “veçanërisht të cenueshëm”.

Për pyjet, dokumenti evidenton rrezikun në rritje nga degradimi i ekosistemeve dhe ngjarjet ekstreme klimatike. “Ekosistemet pyjore përballen me rrezik në rritje nga ndryshimet klimatike”, thuhet në dokument.

Qeveria argumenton se këto investime synojnë të rrisin aftësinë e përballimit apo qëndrueshmërinë e sektorëve strategjikë dhe të kufizojnë humbjet ekonomike të lidhura me klimën. “Masat e adaptimit synojnë të reduktojnë cenueshmërinë e sektorëve kritikë”, thuhet në plan. / N.Maho

Scroll to Top