Autoritetet izraelite kanë publikuar një listë prej 250 të burgosurish palestinezë që do të lirohen në këmbim të pengjeve që mbahen në Gaza. Lista, e publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë së Izraelit, nuk përfshin figura kyçe të luftës së armatosur palestineze, emrat e të cilëve ishin dërguar nga lëvizja islamiste me shpresën se do të përfshiheshin në lirimin e mundshëm.
Në listë mungojnë emra si Maruan Barghouti, Ahmad Sa’adat, Hassan Salameh dhe Abbas al-Sayyid, të cilët janë dënuar me burgim të përjetshëm për sulme vdekjeprurëse kundër izraelitëve.
Izraeli dhe Hamasi kanë miratuar fazën e parë të një plani 20-pikësh të propozuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, me synimin për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Armëpushimi hyri në fuqi mesditën e sotme dhe ushtria izraelite është tërhequr në vijat e dakorduara brenda Rripit të Gazës.
Sipas kushteve të planit Trump, brenda 72 orëve nga hyrja në fuqi e armëpushimit, Hamasi duhet të lirojë 47 pengje të rrëmbyer më 7 tetor 2023, si dhe trupin e një ushtari izraelit të vrarë në vitin 2014.