Ujë falas për familjet në nevojë 2026

Udhëzim: Ujë falas deri në 5 metër kub në muaj për familjet në nevojë ekonomike

Familjet dhe individët në nevojë, të cilët aktualisht marrin ndihmë ekonomike, do të përfitojnë kompensim të plotë për një pjesë të faturës së ujit gjatë vitit buxhetor 2026. Sipas Udhëzimit nr. 3, datë 5 qershor 2026, i cili ka hyrë tashmë në fuqi, kategoritë në nevojë do të kompensohen 100% për konsumin deri në 5 metër kub ujë të pijshëm në muaj për kontratë.

Ky udhëzim, i titulluar “Për miratimin e metodologjisë, për kriteret dhe procedurat, për shpërndarjen dhe përdorimin e subvencioneve shtetërore, për ofruesit e shërbimeve në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, për vitin buxhetor 2026”, përcakton se përfitues janë subjektet e parashikuara nga neni 7 i ligjit nr. 57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Skema e kompensimit nuk kufizohet vetëm te vlera e ujit të konsumuar. Udhëzimi parashikon gjithashtu subvencionimin e tarifave fikse, tarifave të kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura urbane për këto kategori familjesh.

Zbritja do të aplikohet automatikisht në faturën mujore të lëshuar nga shoqëria përkatëse e ujësjellës-kanalizimeve, duke eliminuar nevojën që familjet përfituese të aplikojnë çdo muaj. Kompensimi do të miratohet vetëm një herë për çdo familje, edhe në rastet kur më shumë se një anëtar i saj mund të përfshihet në kategoritë përfituese.

Brenda datës 10 të çdo muaji, njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet t’u dërgojnë shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve listën e plotë të familjeve dhe individëve në nevojë. Fondet do të administrohen nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK), dhe shpërndarja do të mbështetet në të dhënat e raportuara nga shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve.

Udhëzimi thekson se vetëm shoqëritë që kanë nënshkruar kontratë performance me AKUK-në kanë të drejtë të rimbursohen nga fondi i subvencionit. Megjithatë, edhe shoqëritë që nuk kanë nënshkruar ende kontratën e performancës janë të detyruara të aplikojnë zbritjen 100% për kategoritë në nevojë. Në këto raste, kostot do të mbulohen nga vetë shoqëritë deri në momentin e bërjes së tyre të ligjshme për të përfituar rimbursim, pas nënshkrimit të kontratës.

Nëse pas mbulimit të familjeve në nevojë mbeten fonde të papërdorura, ato mund të dedikohen për mbulimin e kostove të energjisë elektrike të shoqërive të ujësjellësit. Ky përdorim është i lejueshëm vetëm për shoqëritë që kanë mbi 75% të volumit të prodhimit të ujit me ngritje mekanike.

Scroll to Top