Protestuesit i kërkojnë dorëheqjen, Rama: Një qeveri nuk e dorëzon kurrë timonin te zhurma! Udhëheqësi i shkon qëllimit të tij deri në fund
Kryeministri Edi Rama është shprehur se një udhëheqës që ka një qëllim të fortë, me çdo çmim e arrin atë deri në fund, pa u ndikuar nga faktorë të jashtëm.
Nga mbledhja e zgjeruar e Grupit Parlamentar të PS, Rama tha se Shqipëria nuk mund të anëtarësohet në BE nëse qeveria merr drejtim sipas asaj që diktojnë rrethanat.
Ai bëri një analogji me veprën e Homerit, ku Odiseu, duke u afruar pranë sirenave, refuzoi t’i dëgjonte. Megjithatë, ai insistoi t’i dëgjonte, pasi vetëm kështu mund të kuptonte madhështinë e tundimit. Për të mos rrezikuar, ai lidhi veten fort pas direkut të anijes. Kjo, sipas Ramës, tregon se udhëheqësi nuk e komprometon destinacionin e tij, duke marrë masa paraprake për të shmangur rreziqet që mund ta shmangin nga qëllimi kryesor.
“Një qeveri s’ka të drejtë të mbyllë veshët, por të dëgjojë. Ata janë dëgjuar. Nuk duhet që një qeveri t’ja hedhë gjithë fajin algoritmit, nuk është ky rasti. Por ka një gjë që një qeveri nuk e bën kurrë nëse është aty me një destinacion. Një qeveri nuk e dorëzon kurrë timonin te zhurma. Një grup udhëheqësish nuk i jepet zhurmës.
Sa më shumë zhurma zmadhohet, aq më shumë një grup udhëheqës forcon identitetin e vetë, duke bashkuar të gjithë në emër të destinacionit. Nuk ndërtohet një shtet si ai që ne po ndërtojmë dhe nuk çohet deri në fund një mision historik si ky që na ra ne, për ta bërë Shqipërinë pjesë të BE-së, duke i dhënë Shqipërisë momentin e dytë më të madh pas Lidhjes së Prizrenit, nëse qeveria e tij merr drejtim nga fryn era dhe sugjestionohet nga zhurmat, erërat, sirenat e dallgët. Me çdo çmim, një grup udhëheqës i shkon deri në fund,” tha Rama.
