Video tronditëse: Automjeti përplaset me stacion karburanti dhe dëmton punonjësin
Pamje të frikshme janë regjistruar në kryeqytetin e Hondurasit, Tegucigalpa, ku një automjet i cili ecte me shpejtësi të lartë u përplas me një pompë karburanti në zonën Los Alcaldes, duke shkaktuar një zjarr.
Forca e përplasjes ishte e tillë sa një nga punonjësit pranë stacionit të benzinës u përplas nga makina, duke sjellë momente paniku dhe tmerri në vendngjarje.
Ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë dhe pamjet, ku shihet qartë momenti i përplasjes dhe shpërthimi i flakëve, po qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale.
Siç duket edhe nga videot, një prej punonjësve ka pësuar lëndime, por fatmirësisht ato nuk rezultojnë të jenë serioze.
Pak minuta më vonë, zjarrfikësit mbërritën në vendin e ngjarjes dhe arritën të neutralizonin zjarrin para se ai të përhhapej në pjesë të tjera të stacionit të karburantit dhe të shkaktonte dëme më të mëdha.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe rrethanat në të cilat drejtuesi i mjetit humbi kontrollin. Po ashtu, po analizohen pamjet e kamerave të sigurisë për të rindërtuar plotësisht dinamikën e ngjarjes.
