Autostrada Milot-Balldren: Investim 365 milionë euro për 17 km dhe tunel

Autostrada Milot-Balldren, ministri zbulon detajet: 365 milionë euro për 17 kilometra rrugë dhe një tunel prej 850 metrash

Segmenti rrugor Milot-Balldren, me gjatësi 17 kilometra, do të kushtojë 365 milionë euro. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka informuar se autostrada do të jetë e kategorisë A, duke përfshirë dy korsi qarkullimi dhe një korsi emergjence për çdo drejtim. Gjurma e re do të ndërtohet, ndërsa rruga ekzistuese do të shërbejë si rrugë alternative.

Pikërisht, gjurma e aksit të ri fillon në nyjën e Milotit, ku do të lidhet me segmentet rrugore Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj dhe Rrugën e Kombit. Projekti përfundon në rrugën ekzistuese Tiranë-Shkodër, në Balldren. Një tunel me dy tuba, me gjatësi 850 metra, do të ndërtohet mes Urës së Drinit dhe Balldrenit, duke lehtësuar qarkullimin dhe duke mundësuar anashkalimin e qytetit të Lezhës.

Autostrada do të jetë e pajisur me ura, nyje lidhëse, pika shërbimi dhe sisteme inteligjente për monitorimin e trafikut dhe për pagesën e taksave. Pritet që projekti të finalizohet në fund të vitit 2028 dhe konsiderohet si një nga segmentet më të rëndësishme të Korridorit Adriatiko-Jonian.

Kompania fituese e koncesionit 35-vjeçar për ndërtimin e kësaj autostrade, me një fond limit prej 364 milionë euro, është shpallur grupi i kompanive “Salillari” së bashku me “ALB TIEFBAU” sh.p.k., “ERALD-G” sh.p.k. dhe “InfraKonsult” sh.p.k. Ndërtimi i rrugës do të financohet tërësisht nga fondet private, ndërsa fitimet e kompanisë do të realizohen nga tarifat e kalimit, pasi rruga të vihet në përdorim publik.

Scroll to Top