Ministria e Brendshme ka shpallur “non-grata” shtetasen Igballe Huduti në territorin e Shqipërisë, duke i ndaluar hyrjen në vend për një periudhë 15-vjeçare.
Burime nga Ministria e Brendshme bënë të ditur se Ministri Besfort Lamallari, pas vlerësimeve nga institucionet përgjegjëse, të cilat sipas burimeve zyrtare kanë konstatuar se aktiviteti i saj mund të cenojë interesat e sigurisë kombëtare, rendin publik dhe stabilitetin e vendit, mori këtë vendim.
Urdhri është përcjellë për zbatim te strukturat e Policisë së Shtetit, si dhe te autoritetet e kufirit dhe migracionit, të cilat do të marrin masat përkatëse për zbatimin e vendimit.
Kryeministri Edi Rama reagoi publikisht përmes rrjeteve sociale, duke komentuar praninë e Hudutit në protestat e zhvilluara në Tiranë. Kreu i qeverisë publikoi fotografi dhe ngriti akuza ndaj saj për deklarata që, sipas tij, përmbajnë mesazhe nxitëse dhe retorikë ekstremiste.
Rama e lidhi gjithashtu figurën e saj me mbështetjen ndaj ish-gjeneralit iranian Qasem Soleimani dhe publikoi një foto ku ajo shfaqej pranë ish-presidentit iranian Mahmoud Ahmadinejad.
