Shqipëria konsiderohet “dele e zezë” për grupet bankare, me kthime më të ulëta krahasuar me mesataren.
Grupet bankare të huaja shprehin pakënaqësi për sa i përket përfitueshmërisë së operacioneve të tyre në Shqipëri. Një anketim i realizuar nga Banka Europiane e Investimeve (EIB) tregon se shumica e këtyre grupeve raportojnë përfitime më të ulëta nga aktiviteti në Shqipëri, krahasuar me mesataren e grupit të tyre. Edhe pse performanca e tregut bankar shqiptar është përmirësuar kohët e fundit, treguesit e rentabilitetit nuk arrijnë nivele plotësisht të kënaqshme për aksionarët.
Një faktor i rëndësishëm që ka ndikuar në kthime më të ulëta nga kapitali, krahasuar me shumicën e tregjeve të tjera në rajon, është rritja e kërkesave për kapital nga Banka e Shqipërisë. Kjo situatë e vendos Shqipërinë si të vetmen ekonomi në Europën Qendrore dhe Juglindore ku kthimet nga kapitali për grupet bankare janë më të ulëta se mesatarja në nivel grupi.
Sipas anketimit, Shqipëria konsiderohet gjithashtu si një nga tregjet me potencial më të ulët, në nivele të krahasueshme me Serbinë dhe Bullgarinë. Këto rezultate sugjerojnë se Shqipëria mund të mos jetë ende një destinacion tërheqës për investime të reja nga grupet e mëdha bankare.
Ndërsa Shqipëria duket se bën një përjashtim, tregjet e tjera të Europës Qendrore dhe Juglindore po shihen si zona me potencial rritjeje afatgjatë nga grupet bankare ndërkombëtare. Tre të katërtat e grupeve bankare që operojnë në këto rajone planifikojnë të zgjerohen, ndërsa asnjëra nuk ka në plan të zvogëlojë praninë e saj.
Shumica e bankave mëmë në Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore kanë ruajtur ose rritur ekspozimin e tyre në rajon gjatë gjashtë muajve të fundit, duke favorizuar zgjerimin në strategjitë e tyre afatgjata. Ato vlerësojnë potencialin e tregut si veçanërisht të lartë në Çeki, Rumani dhe Sllovaki, ndërsa e shohin atë si më të moderuar në Ballkanin Perëndimor.
Raportohet gjithashtu një rentabilitet më i lartë në rajon krahasuar me operacionet e përgjithshme të grupit, veçanërisht në vende si Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Çekia, Hungaria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Sipas anketimit, kërkesa për kredi pritet të mbetet e fortë në rajon, ndërsa kushtet për dhënien e kredisë pritet të lehtësohen pak në muajt e ardhshëm. Kjo kërkesë e fortë, e nxitur kryesisht nga klientët individualë, ka qenë një tendencë edhe në vitet e fundit. Nga ana tjetër, oferta për kredi në rajon ka qenë më e kufizuar, pavarësisht disa shenjave të përmirësimit në vitin 2024, duke mbetur përgjithësisht e qëndrueshme gjatë dy viteve të fundit.
Qasja në financim për degët lokale mbetet e favorshme dhe është përmirësuar në gjashtë muajt e fundit, falë rritjes së depozitave nga klientët individualë dhe korporatat. Kohët e fundit, tregjet e Europës Qendrore dhe Juglindore po tërheqin sërish vëmendjen e grupeve të rëndësishme bankare europiane. Pas një periudhe daljesh të shumë aktorëve të rëndësishëm pas krizës së vitit 2008, konsolidimi dhe përmirësimi i tregut bankar në këto vende po i bën ato gradualisht sërish tërheqëse. Shumica e grupeve bankare po synojnë rritjen organike, por shfaqin interes edhe për blerje të reja për të rritur peshën e tyre në treg dhe efikasitetin.
