Vala e të nxehtit në Francë: 74 viktima nga mbytja

Vala e të nxehtit në Francë: 74 të vdekur nga mbytja që nga 18 qershori

Vala ekstreme e të nxehtit që ka përfshirë Evropën po shkakton pasoja tragjike. Në Francë, autoritetet kanë regjistruar 74 viktima nga mbytja që prej 18 qershorit.

Në Zvicër, për të tretën ditë radhazi, është shënuar një rekord i ri i temperaturave për muajin qershor. Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, deklaroi se shumica e viktimave janë mbytur në vende të paautorizuara dhe të pambikëqyrura për not.

“Këto vdekje kanë ndodhur kryesisht në lumenj, liqene të vegjël dhe trupa të tjerë ujorë pa mbikëqyrje. Ka pasur gjithashtu raste mbytjeje edhe në pishina private”, tha ai në një intervistë për gazetën Le Parisien.

Sipas ministrit, temperaturat e larta kanë nxitur shumë njerëz të kërkojnë freski në ujëra të rrezikshëm. Gjithashtu, janë regjistruar edhe raste të shumta të problemeve shëndetësore.

“Po shohim shumë vdekje nga ataku në zemër”, theksoi Nunez, duke paralajmëruar qytetarët të tregojnë kujdes gjatë ditëve me temperatura ekstreme.

Ndërkohë, në Zvicër, vala e të nxehtit ka thyer sërish rekordet historike. Shërbimi Kombëtar Meteorologjik MétéoSuisse bëri të ditur se në stacionin meteorologjik Basel/Binningen u regjistruan 39 gradë Celsius në orën 13:30 sipas kohës lokale, temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në muajin qershor në vend.

Rekordi i ri tejkalon atë të vendosur vetëm një ditë më parë, kur termometri shënoi 38.8 gradë Celsius në të njëjtin stacion meteorologjik.

Meteorologët paralajmërojnë se temperaturat e larta pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim. Autoritetet në disa vende evropiane u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta dhe të tregojnë kujdes të shtuar për të moshuarit, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore.

Scroll to Top