Shqipëria merr drejtimin e Rrjetit Global të Agroturizmit
Shqipëria do të drejtojë për herë të parë Rrjetin Global të Agroturizmit (Global Agritourism Network – GAN), një organizatë ndërkombëtare e cila promovon bashkëpunimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori.
Ky vendim u mor gjatë Konferencës Ndërkombëtare të Agroturizmit, e organizuar nga Scottish Agritourism dhe GAN, ku morën pjesë rreth 550 delegatë nga 55 vende. Në krye të rrjetit u zgjodh Prof. Shpresim Domi, në vlerësim të angazhimit të tij në zhvillimin e agroturizmit dhe promovimin e modeleve të qëndrueshme të zhvillimit rural.
Marrja e drejtimit të GAN e vendos Shqipërinë në një rol më të dukshëm ndërkombëtar në një segment ku oferta vendase është zgjeruar vitet e fundit. Kjo përfshin sidomos strukturat rurale që kombinojnë akomodimin me gastronominë lokale, fermat, kantinat e verës dhe aktivitetet në natyrë.
Kërkesa e turistëve është orientuar gjithnjë e më shumë drejt eksperiencave të lidhura me natyrën, prodhimet vendase autentike dhe qëndrimet në zona rurale, krahas destinacioneve bregdetare që kanë qenë tradicionalisht të frekuentuara. Ky profil kërkese e ka bërë agroturizmin një nga format më të përdorura për diversifikimin e turizmit, pasi lidh shërbimin e akomodimit me konsumin lokal dhe aktivitetet në territor.
Në Shqipëri, strukturat e agroturizmit janë përqendruar kryesisht në zona rurale dhe pranë itinerareve natyrore, duke ofruar qëndrime më të shkurtra, ushqim tradicional dhe përvoja të lidhura me jetën në këto rajone.
Rrjeti Global i Agroturizmit shërben si platformë bashkëpunimi mes organizatave, sipërmarrjeve dhe institucioneve që operojnë në këtë sektor, duke krijuar hapësirë për shkëmbim praktikash dhe promovim ndërkombëtar.
