“`html
Korporata anulon procedurën për Korpusin e Institucioneve të Pavarura, privati s’ka interes
Korporata e Investimeve Shqiptare ka anuluar procedurën për përzgjedhjen e partnerit privat për projektin “Korpusi i Institucioneve të Pavarura” dhe “Qendra për Zhvillimin Multifunksional, Tiranë”. Vendimi u mor pasi nuk arriti të sigurohet numri minimal i aplikimeve të kërkuara në fazën e parë të garës.
Në njoftimin e publikuar më 29 qershor, Korporata sqaroi se procedura u anulua “për shkak të numrit të pamjaftueshëm të aplikimeve të dorëzuara për Fazën I të procedurës konkurruese”. Kjo anulim mbyll, të paktën për momentin, garën për një prej projekteve më të mëdha të zhvillimit të pronës shtetërore përmes partneritetit me sektorin privat. Ky dështim vjen pas një sërë projektesh të ngjashme, të cilët gjithashtu kanë rezultuar pa interes për publikun e privat.
Korporata ka ndryshuar kushtet ekonomike të projekteve në disa raste, në përpjekje për të tërhequr zhvilluesit privatë. Megjithatë, duket se edhe ulja e përqindjes në këtë rast nuk ka ngjallur interes.
Dokumentet e procedurës tregojnë se pragu minimal i pjesëmarrjes së shtetit u ul, dhe investitorëve u kërkohej të garantonin të paktën 35% të sipërfaqes së zhvilluar në favor të Korporatës. Fitues do të ishte ofertuesi që propozonte përqindjen më të lartë mbi këtë prag. Edhe pas lehtësimit të kushteve, interesi i tregut mbeti i pamjaftueshëm.
Projekti ishte konceptuar mbi modelin e sipërmarrjes, ku Korporata do të kontribuonte me tokën shtetërore, ndërsa partneri privat do të financonte, projektonte dhe ndërtonte investimin. Në këmbim, ky i fundit përfitonte të drejtën për të zhvilluar sipërfaqe rezidenciale, tregtare dhe shërbimesh.
Paketa përfshinte dy zhvillime kryesore:
- Ndërtimi i Korpusit të Institucioneve të Pavarura, i projektuar për të përqendruar në një kampus të vetëm një sërë institucionesh të pavarura.
- Qendra për Zhvillimin Multifunksional në zonën e ish-Fushës së Aviacionit, që parashikonte ndërtimin e objekteve publike dhe komunitare, të financuara përmes zhvillimit të një kompleksi privat në të njëjtën pronë.
Ky model është pjesë e strategjisë së Korporatës për të zhvilluar asetet shtetërore pa financim të drejtpërdrejtë nga buxheti, duke shkëmbyer të drejtën e zhvillimit me ndërtimin e infrastrukturës publike.
“`
