VIDEO/ Mrekulli në Venezuelë: 3-vjeçari shpëtohet i gjallë pas gjashtë ditësh nën rrënoja
Një djalë trevjeçar është nxjerrë i gjallë nga rrënojat, gjashtë ditë pas tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën. Operacioni i shpëtimit u realizua nga një ekip jordanez.
Fëmija, i identifikuar si Klieber Morán, u nxor nga rrënojat në shtetin La Guaira. Presidentja e përkohshme, Delcy Rodríguez, e cilësoi ngjarjen si një “burim shprese për popullin”.
Mbrojtja civile jordaneze bëri të ditur se fëmija mori ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u dërgua në spital, ku gjendja e tij u raportua e qëndrueshme. Autoritetet venezueliane konfirmuan se ai po trajtohet në Karakas.
Ky shpëtim vjen në një moment kur situata në vend mbetet kritike pas tërmeteve me magnitudë 7.2 dhe 7.5 që goditën javën e kaluar. Sipas autoriteteve, numri i viktimave ka arritur në 1,943, ndërsa më shumë se 10,000 persona janë plagosur dhe dhjetëra mijëra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Vlerësimet paraprake të të dhënave satelitore të NASA-s tregojnë se rreth 58,870 ndërtesa mund të jenë dëmtuar ose shkatërruar si pasojë e lëkundjeve të fuqishme.
OKB-ja ka paralajmëruar për një krizë humanitare në përkeqësim, me mungesa të mëdha ushqimi dhe strehimi për dhjetëra mijëra të mbijetuar.
Shpëtimi i 3-vjeçarit konsiderohet një rast i rrallë, pasi ndodh shumë pas periudhës kritike 72-orëshe, kur shanset për të gjetur të mbijetuar nën rrënoja janë zakonisht më të larta.
Për të qenë pjesë e grupit “Balkanweb”, mjafton të klikoni në linkun përkatës dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
