Shqipëria, e dyta në Europë për energjinë e rinovueshme në raport me konsumin
Shqipëria zë vendin e dytë në Europë përsa i përket peshës së energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e rinovueshme në raport me konsumin e brendshëm. Ky pozicion e lë pas si Islandën, ashtu edhe të gjitha vendet e Bashkimit Europian.
Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024, 105% e konsumit bruto të energjisë elektrike në vend u mbulua nga burime të rinovueshme. Ky tregues tregon se gjatë vitit, Shqipëria prodhoi më shumë energji të gjelbër sesa konsumoi.
Vetëm Norvegjia e kalon Shqipërinë në këtë renditje, me 114%, ndërsa Islanda renditet e treta me 102%. Eurostat shpjegon se vendet e EFTA-s (Norvegjia dhe Islanda) dhe vendi kandidat Shqipëria, prodhuan në vitin 2024 më shumë energji elektrike nga burime të rinovueshme sesa sasia totale e energjisë elektrike që konsumuan. Për këtë arsye, pjesa e energjisë së rinovueshme rezulton mbi 100%. Ky efekt mund të vijë nga fakti që prodhimi ishte më i lartë se konsumi dhe vendi ishte eksportues neto, si në rastin e Norvegjisë. Në raste të tjera, si në rastin e Islandës dhe Shqipërisë, pjesa reale mund të jetë 100%, por normalizimi i prodhimit hidroenergjetik e çon treguesin në një nivel më të lartë.
Pozicioni i Shqipërisë lidhet kryesisht me dominimin e hidrocentraleve në prodhimin vendas të energjisë elektrike. Viti 2024 u karakterizua nga kushte të favorshme hidrike, duke shtuar prodhimin vendas dhe duke mundësuar eksporte energjie në periudha të caktuara. Megjithatë, kjo performancë thekson edhe varësinë e lartë të sistemit energjetik nga reshjet, duke e detyruar vendin të rrisë importet e energjisë në vitet me thatësirë.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria kryeson me një diferencë të konsiderueshme. Mali i Zi renditet i dyti me 66%, ndërsa Maqedonia e Veriut me 32%. Serbia mbulon vetëm 13% të konsumit të saj të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, çka tregon varësinë e saj nga termocentralet me qymyr.
Këto të dhëna bëjnë pjesë në raportin më të fundit të Eurostat për statistikat e energjisë së rinovueshme, i cili vë në dukje përshpejtimin e tranzicionit energjetik në Bashkimin Europian. Në vitin 2024, 47.3% e konsumit bruto të energjisë elektrike në BE u mbulua nga burime të rinovueshme, krahasuar me 45.3% një vit më parë. Krahasuar me vitin 2004, kur kjo shifër ishte vetëm 16.2%, pjesa e energjisë së gjelbër është pothuajse trefishuar.
Austria kryeson renditjen brenda Bashkimit Europian me 90% të energjisë elektrike të konsumuar që vjen nga burime të rinovueshme, e ndjekur nga Suedia me 88% dhe Danimarka me 80%. Në fund të renditjes, Malta shënon vetëm 10%, Republika Çeke 20% dhe Luksemburgu 20%.
Eurostat thekson se rritja e prodhimit të energjisë së rinovueshme mbështetet kryesisht nga investimet në energjinë diellore dhe atë të erës. Vetëm gjatë vitit 2024, prodhimi nga panelet fotovoltaike u rrit ndjeshëm në shumicën e vendeve të BE-së, ndërsa kapacitetet e reja të turbinave me erë vazhduan të shtohen, duke kompensuar pjesërisht luhatjet e prodhimit hidroenergjetik.
Në nivel europian, era është burimi kryesor i energjisë elektrike të rinovueshme, duke përbërë rreth 39% të prodhimit të gjelbër. Hidrocentralet zënë rreth 30%, energjia diellore 22%, ndërsa bioenergjia rreth 6%. Krahasuar me një dekadë më parë, energjia diellore është burimi që ka shënuar zgjerimin më të madh, falë uljes së kostove të teknologjisë dhe politikave mbështetëse për investimet.
