Malaj konfirmon rritjen e ndërtimeve në Tiranë dhe bregdet: 11 miliardë lekë të ardhura
Të ardhurat e bashkive janë rritur me 90% në pesë muajt e parë të vitit, kryesisht falë taksave të lidhura me ndërtimet e reja në Tiranë dhe zonat bregdetare. Këtë e konfirmoi ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë një paraqitjeje në Komisionin e Ligjeve, ku mbrojti Aktin Normativ për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin e Buxhetit për vitin 2026.
Njësitë e vetëqeverisjes vendore mblodhën gjithsej 28.5 miliardë lekë të ardhura të veta tatimore gjatë periudhës janar-maj 2026, duke shënuar një rritje prej 13.5 miliardë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Rritja më e lartë i dedikohet taksave lokale,” theksoi Malaj gjatë prezantimit të aktit normativ për ndryshimin e buxhetit të vitit 2026 në Komisionin e Ligjeve. Ai shtoi se vetëm të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë u rritën me 10.8 miliardë lekë.
Sipas ministrit, kjo rritje është regjistruar kryesisht në Bashkinë Tiranë dhe bashkitë bregdetare, si Himara, ku ka zhvillim të ndërtimeve të reja.
Aktiviteti ndërtues në vend ka hyrë në një cikël të ri, me një sërë projektesh që po zhvillohen në kryeqytet dhe përgjatë bregdetit. Janë dhënë leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) për ndërtesa shumëkatëshe, komplekse rezidenciale, hotele dhe fshatra turistike. Projektet shtrihen në zona të ndryshme, duke përfshirë Golemin, Qerretin, Vlorën, Himarën, Lukovën, Borshin dhe Sarandën. Vrullit të ndërtimeve i janë bashkuar edhe zona në veri të vendit, si Shëngjini dhe Velipoja.
Të ardhurat nga taksa e pasurisë gjithashtu tejkaluan nivelin e një viti më parë. “Mbledhja e saj ka avancuar përtej pritshmërive,” tha Malaj. Për pesë muajt e parë të vitit, bashkitë arkëtuan 784 milionë lekë më shumë nga kjo taksë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Qeveria propozoi rritjen me 14 miliardë lekë të parashikimit për të ardhurat vendore në buxhetin e rishikuar, duke u bazuar në performancën e arkëtimeve gjatë pjesës së parë të vitit. Edhe shpenzimet vendore parashikohet të rriten me 14.2 miliardë lekë.
Në nivel kombëtar, të ardhurat e përgjithshme buxhetore arritën në 341 miliardë lekë gjatë pesë muajve të parë, ose 105.3% të planit të periudhës. “Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat e përgjithshme u rritën me 34.8 miliardë lekë ose 11.4% më shumë,” tha Malaj.
Ministria e Financave propozoi që parashikimi vjetor i të ardhurave të përgjithshme të rritet në 843.1 miliardë lekë, ose 20.1 miliardë lekë mbi buxhetin fillestar. Të ardhurat nga tatimet, doganat dhe kontributet arritën në 298.4 miliardë lekë në periudhën janar-maj, duke qenë 2.2% mbi planin.
“Në total, janë mbledhur 6.3 miliardë lekë më shumë në krahasim me planin fillestar të pesëmujorit 2026,” tha ministri.
Suficiti buxhetor për periudhën arriti në rreth 53.7 miliardë lekë.
Sipas Malajt, ndryshimet e propozuara në buxhet financohen nga të ardhurat shtesë dhe nuk ndryshojnë nivelin e deficitit. “Të gjitha ndryshimet e propozuara në aktin normativ financohen brenda hapësirës fiskale të krijuar nga rritja e të ardhurave buxhetore,” theksoi ai. “Ato nuk ndryshojnë nivelin e deficitit buxhetor, ruajnë trajektoren rënëse të borxhit publik dhe garantojnë vijimin e konsolidimit fiskal.”
