## Shqipëria “jeton për t’u ushqyer”, shpenzimet për ushqime arrijnë 20.4% të ekonomisë, një rekord europian
Pavarësisht rritjes ekonomike dhe të ardhurave të viteve të fundit, Shqipëria vazhdon të jetë një ekonomi ku një pjesë e konsiderueshme e burimeve financiare i kushtohet sigurimit të ushqimit. Të dhënat e Eurostat, të analizuara nga Monitor, tregojnë se Shqipëria ka peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime në raport me madhësinë e ekonomisë, duke lënë pas jo vetëm vendet e Bashkimit Europian, por edhe të gjitha ekonomitë e tjera të rajonit.
Në vitin 2025, shpenzimet nominale për ushqime në Shqipëri arritën në 20.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke u ulur lehtë nga 20.5% një vit më parë. Kjo do të thotë se rreth një e pesta e prodhimit vjetor të ekonomisë shqiptare shpenzohet për blerjen e ushqimeve. Pesha e lartë e shpenzimeve për ushqime tregon se familjet shqiptare vazhdojnë të përdorin një pjesë të madhe të të ardhurave të tyre për të përmbushur nevojat bazë. Në ekonomitë me të ardhura më të larta, ushqimet zënë një pjesë shumë më të vogël të shpenzimeve, pasi familjeve u mbetet më shumë para për strehim, transport, arsim, shëndetësi, kulturë dhe argëtim.
### Treguesi i matjes
Të dhënat e Eurostat, të cilat janë pjesë e bazës për barazinë e fuqisë blerëse, nivelet e çmimeve dhe shpenzimet sipas kategorive të konsumit, përdorin treguesin “shpenzimi nominal si përqindje e PBB-së”. Ky tregues mat vlerën totale të shpenzimeve për ushqime në një vend në raport me madhësinë e ekonomisë së tij.
### Shqipëria kryeson rajonin
Në vitin 2025, Shqipëria renditej e para në rajon me shpenzime për ushqime prej 20.4% të PBB-së. Mali i Zi ishte pranë saj me 19.9% (nga 19.3% në 2024), ndërsa në Bosnjë dhe Hercegovinë pesha u rrit lehtë nga 19% në 19.1%. Maqedonia e Veriut kishte 17.9% të PBB-së (nga 18.2% një vit më parë). Mesatarja e vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate (pa përfshirë Turqinë dhe Kosovën) ishte 15.9% e PBB-së, rreth 4.5 pikë përqindjeje më e ulët se në Shqipëri. Serbia shënoi një nivel dukshëm më të ulët, me 12.8% të PBB-së në 2025 (nga 12.7% në 2024). Të dhënat për Kosovën nuk janë të veçuara në tabelën e publikuar.
### Europa shpenzon shumë më pak
Diferenca me Bashkimin Europian është edhe më e theksuar. Në 27 vendet e BE-së, shpenzimet për ushqime mesatarisht zinin 6.2% të PBB-së në vitin 2025. Pesha prej 20.4% në Shqipëri ishte mbi tri herë më e lartë se mesatarja europiane, me një diferencë prej 14.2 pikë përqindjeje. Edhe krahasuar me vendet më të varfra të BE-së, Shqipëria kishte një peshë shumë më të lartë. Për shembull, në Rumani shpenzimet për ushqime ishin 12.9% e PBB-së, në Bullgari 11%, dhe në Greqi 11.2%. Në vendet me të ardhura më të larta, si Gjermania (5%), Franca (5.8%), Austria (4.6%) dhe Zvicra (4%), pesha e ushqimeve në ekonomi ishte shumë më e ulët. Luksemburgu dhe Irlanda shënuan nivelet më të ulëta, respektivisht 2.8% dhe 2.1% të PBB-së.
### Çmimet e ushqimeve më të shtrenjta se mesatarja e BE-së
Një nga faktorët që rrit buxhetin familjar për ushqime janë çmimet e tyre relativisht të larta në raport me të ardhurat. Në vitin 2025, çmimet e ushqimeve në Shqipëri u bënë rreth 3% më të shtrenjta se mesatarja e Bashkimit Europian. Çmimet janë rritur me shpejtësi nga 85% e mesatares së BE-së në 2022, në 99.6% në 2024 dhe 102.9% në 2025. Kjo do të thotë se një shportë ushqimesh që mesatarisht kushton 100 euro në BE, në Shqipëri kushton rreth 103 euro, e matur sipas fuqisë blerëse, ndërkohë që të ardhurat për frymë të shqiptarëve janë më pak se gjysma e mesatares europiane (48%). Shqipëria rezulton më e shtrenjtë edhe në rajon, e ndjekur nga Serbia (96.6), Mali i Zi dhe Bosnja-Hercegovina (rreth 84.6), ndërsa Maqedonia e Veriut mbetet vendi më i lirë me 74.3% të mesatares së BE-së.
### 5 miliardë euro, një e pesta e ekonomisë, për të ushqyer vendin
Në terma nominalë, shpenzimet për ushqime në Shqipëri arrijnë rreth 5 miliardë euro në vit. Për banor, çdo shqiptar shpenzoi 2349 euro në vitin 2025, një shifër e krahasueshme me mesataren e Bashkimit Europian (2576 euro). Në rajon, vetëm Mali i Zi shpenzon më shumë për frymë (2613 euro), por me paga gati 40% më të larta. Maqedonasit, banorët e Bosnjë-Hercegovinës dhe serbët shpenzojnë më pak në vlerë, përkatësisht 1666, 1620 dhe 1735 euro.
