Shqipëria: Mungesë Gjyqtarësh Pavarësisht Reformës

Reformë në drejtësi, por Shqipëria ndër vendet me më pak gjyqtarë në raport me popullsinë

Pavarësisht reformës thelbësore në sistemin e drejtësisë dhe procesit shumëvjeçar të rivlerësimit të magjistratëve, Shqipëria vazhdon të ketë një nga numrat më të ulët të gjyqtarëve për frymë në Europë.

Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024, të përpunuara nga Monitor, Shqipëria kishte vetëm 9.66 gjyqtarë profesionistë për çdo 100 mijë banorë. (Eurostat raporton të dhënat për numrin e gjyqtarëve për Shqipërinë, ndërsa raporti për 100 mijë banorë është llogaritur nga redaksia). Ky nivel rezulton të jetë rreth 39% më i ulët se mesatarja e Bashkimit Europian, e cila është 15.7 gjyqtarë për 100 mijë banorë.

Krahasuar me 32 vende europiane dhe të rajonit për të cilat disponohen të dhëna, Shqipëria renditet e nënta nga fundi. Vende me një raport më të ulët përfshijnë Suedinë, Maltën, Poloninë, Italinë, Çekinë, Spanjën, Austrinë dhe Irlandën.

Në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, diferenca është e konsiderueshme. Mali i Zi kishte 42.49 gjyqtarë për 100 mijë banorë, Serbia 40.18 dhe Maqedonia e Veriut 20.15. Në raport me popullsinë, Mali i Zi kishte mbi katër herë më shumë gjyqtarë se Shqipëria, ndërsa Serbia rreth katër herë më shumë. Të dhëna për Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën nuk figurojnë në tabelën përkatëse.

Ky nivel i ulët pasqyron tkurrjen e trupës gjyqësore gjatë procesit të rivlerësimit. Largimet, dorëheqjet dhe shkarkimet nuk u zëvendësuan me të njëjtin ritëm nga emërimet e reja. Si pasojë, një pjesë e gjykatave kanë funksionuar me vende vakante, ndërsa çështjet e trashëguara dhe kohëzgjatja e proceseve janë kthyer në problematika kryesore të sistemit.

Të dhëna të tjera nga Eurostat tregojnë se Shqipëria ka 55% gra gjyqtare, një përqindje ndër më të ulëtat në Europë.

Kroacia dhe Mali i Zi kryesojnë Europën

Kroacia shënoi raportin më të lartë në Europë, me 43.32 gjyqtarë profesionistë për 100 mijë banorë. Pas saj renditet Mali i Zi me 42.49, Serbia me 40.18 dhe Sllovenia me 40.16.

Nivele të larta kishin gjithashtu Luksemburgu (36.01), Bullgaria (35.37) dhe Rumania (35.31). Në Gjermani raporti ishte 26.3, në Greqi 26.06, ndërsa në Finlandë dhe Estoni përkatësisht 19.38 dhe 18.11 gjyqtarë për 100 mijë banorë.

Eurostat raportoi se në të gjithë Bashkimin Europian, numri i gjyqtarëve për frymë është ulur edhe në nivel kontinental gjatë dekadës së fundit. BE kishte mesatarisht 15.7 gjyqtarë profesionistë për 100 mijë banorë në vitin 2024, nga 17.7 në vitin 2014.

Irlanda kishte numrin më të ulët të gjyqtarëve për frymë, vetëm 3.64 për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Austria (4.32), Spanja (6.18), Çekia (6.72) dhe Italia (7.86). Polonia regjistronte 8.01, Malta 8.52 dhe Suedia 9.04, të gjitha vende me një raport më të ulët se Shqipëria.

Megjithatë, duhet theksuar se krahasimi i drejtpërdrejtë midis vendeve duhet të bëhet duke marrë parasysh edhe organizimin e ndryshëm të sistemeve gjyqësore, kompetencat e gjykatave dhe rolin e personelit tjetër juridik.

Eurostat sqaron gjithashtu se të dhënat për Austrinë dhe Çekinë përfshijnë vetëm gjyqtarët e autorizuar për të shqyrtuar çështje penale.

Si përkufizohet gjyqtari profesionist

Në këtë tregues përfshihen gjyqtarët profesionistë me kohë të plotë dhe të pjesshme, të cilët janë të autorizuar të shqyrtojnë çështje civile, penale dhe të tjera, përfshirë ato në gjykatat e apelit. Ata duhet të jenë të rekrutuar dhe të paguar për ushtrimin e profesionit të gjyqtarit. Të dhënat nuk përfshijnë gjyqtarë joprofesionistë, anëtarë laikë të trupave gjyqësore dhe magjistratë që nuk e ushtrojnë këtë funksion si profesion.

Scroll to Top