Iran: 16 të akuzuar për vdekje pas vrasjes së kolonelit

Një kolonel iranian u vra gjatë protestave të janarit, tani 16 persona mund të dënohen me vdekje

Natën e 8 janarit, një kolonel i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) u vra në qytetin qendror të Isfahanit, gjatë protestave të mëdha kundër qeverisë në të gjithë vendin. Muaj më vonë, 16 persona po akuzohen për “moharebeh” (armiqësi ndaj Zotit) dhe mund të dënohen me vdekje për vrasjen e kolonelit Abbas Kamrani dhe demonstratat e dhunshme të asaj nate në Isfahan.

Ky rast vjen në një periudhë kur Irani ka rritur numrin e ekzekutimeve të personave që organizatat për të drejtat e njeriut i cilësojnë si të burgosur politikë. Këta persona përfshijnë protestues, anëtarë të dyshuar të grupeve të ndaluara dhe persona të dënuar për spiunazh, që nga fillimi i luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin më 28 shkurt. Aktivistët pretendojnë se shtimi i ekzekutimeve është një përpjekje e autoriteteve për të krijuar frikë mes iranianëve dhe për të parandaluar përsëritjen e demonstratave mbarëkombëtare që tronditën udhëheqësit klerikë të vendit në fillim të këtij viti. Organizatat për të drejtat e njeriut kanë dënuar gjykimet, duke theksuar se shumë prej tyre janë shoqëruar me tortura, rrëfime të detyruara dhe mungesë të procesit të rregullt ligjor.

Protestat e janarit përbënë sfidën më serioze për autoritetet që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979. Mijëra njerëz u vranë gjatë shtypjes së protestuesve nga shteti. Dhjetëra janë ekzekutuar për përfshirjen e tyre të pretenduar në demonstrata, ndërsa dhjetëra të tjerë presin ekzekutimin, sipas organizatave për të drejtat e njeriut.

Rasti i Sheshit “Shahada”

Një nga rastet më të ndjekura që lidhet me protestat mbarëkombëtare është gjykimi i 16 të pandehurve në Isfahan. Ata akuzohen për moharebeh, ndihmë dhe bashkëpunim në kryerjen e moharebehut, shkatërrim të pronës publike që përbën moharebeh, organizim dhe bashkëpunim për kryerjen e veprave penale, si dhe propagandë kundër Republikës Islamike.

Burime në Iran i thanë Radios Farda se autoritetet kanë përdorur torturën për t’i bërë të pandehurit të rrëfehen dhe se ekziston frika se ata mund të përballen me dënimin me vdekje. Megjithëse prokurorët pretendojnë se të pandehurit janë përgjegjës për vdekjen e Kamranit dhe të një burri tjetër, i cili përshkruhet si i pastrehë, ata nuk janë akuzuar për vrasje. Në vend të kësaj, ata përballen me akuza për moharebeh, pasi dyshohet se kanë prodhuar koktej molotovi në një dyqan këpucësh pranë Sheshit “Shahada” në Isfahan.

Rasti po shqyrtohet nga një gjykatë revolucionare, e cila merret kryesisht me çështje të rëndësishme politike dhe konsiderohet më pak e rregulluar dhe më e ashpër në vendimet e saj sesa gjykatat e zakonshme.

Mes të akuzuarve është edhe Milad Boueiri, pronari 29-vjeçar i dyqanit të këpucëve. Të tjerët janë punonjës të dyqanit ose të dyqaneve përreth, si dhe të afërm të tyre. Shumë prej të pandehurve janë nën moshën 23-vjeçare, përfshirë binjaket 20-vjeçare Taraneh dhe Romina Rahimi.

Pretendime për torturë dhe rrëfime të detyruara

Sipas burimeve të Radios Farda, prokurorët nuk paraqitën asnjë provë të pavarur që do t’i lidhte të pandehurit me vrasjet. Në vend të kësaj, akuza u mbështet kryesisht në rrëfimet e vetë të pandehurve. Gjatë seancave gjyqësore, të pandehurit dëshmuan se rrëfimet e tyre ishin marrë nën torturë, përfshirë rrahje të mëdha, goditje elektrike dhe kërcënime për përdhunim.

“Duke pasur parasysh mungesën e ndonjë akuze specifike për vrasje në aktakuzë dhe informacionin e disponueshëm që tregon se nuk është paraqitur asnjë provë që i lidh të pandehurit me vrasjen e këtyre dy personave, atribuimi i përgjegjësisë ligjore për këto vdekje ndaj të pandehurve do të ishte pa bazë ligjore”, tha organizata amerikane për të drejtat e njeriut, HRANA, në një deklaratë më 21 korrik.

Të mbajtur në izolim në burgjet Dastgerd dhe Dovlatabad në Isfahan, 16 të pandehurit kanë përfaqësim ligjor, por avokatëve të tyre u është mohuar qasja në dosjet e çështjes. Burimet i thanë Radios Farda se dy prej avokatëve mbrojtës kanë bërë deklarata kundër klientëve të tyre gjatë gjykimit.

“Rasti i Sheshit ‘Shahada’ në Isfahan është një shembull i qartë i instrumentalizimit të sistemit gjyqësor për të shtypur protestat civile dhe për të mbjellë frikë në shoqëri”, tha në një deklaratë më 23 korrik Iran Human Rights Monitor. “Mbajtja e gjykimeve me dyer të mbyllura brenda objekteve të burgut, mohimi i qasjes së avokatëve mbrojtës në dokumentacionin e çështjes, injorimi i torturave brutale dhe ngritja e akuzave të rënda si ‘moharebeh’ pa prova mbështetëse përbëjnë shkelje të hapur” të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut sa i përket të drejtës për një gjykim të drejtë.

Rasti po mbikëqyret nga gjyqtarët Morteza Barati dhe Mohammad Reza Tavakoli. Ky i fundit është i njohur për shqiptimin e dënimeve të ashpra dhe shkaktoi reagim ndërkombëtar me dënimin me vdekje në vitin 2024 ndaj një reperi të njohur. Tavakoli së fundmi dënoi me vdekje 12 burra për rolin e tyre të pretenduar në vrasjen e pjesëtarëve të forcave speciale gjatë protestave në Isfahan më 8 janar. Barati kryesoi një çështje të lidhur me protestat mbarëkombëtare që tronditën Iranin në vitin 2022, ku ai dënoi me vdekje tre të pandehur, të cilët më pas u ekzekutuan.

Scroll to Top