Siguria Ekonomike: Strategjia e Re për Shqipërinë

Siguria ekonomike është po aq e rëndësishme sa siguria kombëtare

Një shtet që humbet fabrikat, eksportet dhe kapacitetet e tij prodhuese bëhet gjithnjë e më i varur nga importet, më i ekspozuar ndaj krizave ndërkombëtare dhe më pak i aftë për të garantuar mirëqenien e qytetarëve të tij. Forca ekonomike është një nga shtyllat themelore të sigurisë kombëtare.

Kohët e fundit është hapur një debat i gjerë mbi investimet që qeveria po bën në industrinë e mbrojtjes, duke e konsideruar atë një sektor strategjik për sigurinë kombëtare. Ky është një debat i drejtë dhe i domosdoshëm. Por sot është koha të shtrojmë edhe një pyetje tjetër: A nuk është po aq strategjike edhe siguria ekonomike e vendit?

Manifaktura shqiptare e ka dëshmuar vlerën e saj. Për më shumë se tre dekada ka qenë një nga motorët kryesorë të ekonomisë shqiptare, duke punësuar dhjetëra mijëra qytetarë, duke sjellë valutë në vend dhe duke mbajtur një peshë të rëndësishme në eksporte. Ka pasur vite kur ky sektor përfaqësonte rreth 40% të eksporteve shqiptare, me një vlerë prej afro 1.4 miliardë euro.

Ndërkohë, bota po ndryshon me shpejtësi. Pandemia, luftërat dhe tensionet gjeopolitike kanë bërë që shumë shtete të rikthejnë në qendër të politikave të tyre industrinë prodhuese. Bashkimi Evropian po investon miliarda euro për të rritur autonominë strategjike, për të forcuar kapacitetet prodhuese dhe për të ulur varësinë nga tregje të largëta për produkte jetike.

Një shembull domethënës është Italia, ku pas rënies së kullave binjake, pësoi një kolaps në sektorët e tekstileve, këpucëve, mobiljeve etj., për shkak se tregu kryesor ishte ai amerikan. Kohët e fundit ka filluar të aktivizojë sektorin e fasonerisë për veshjet dhe këpucët. Fenomeni që po vërehet dhe po funksionon është oferta për punonjësit e kualifikuar nga Shqipëria. Kushtet e kontratave janë mjaft tunduese, ku sipërmarrësit italianë po ofrojnë për punëtorët shqiptarë paga duke filluar nga 1,300 € neto, strehim dinjitoz dhe leje qëndrimi të përhershme. Ky nuk është thjesht një fenomen i tregut të punës; është një sinjal se industria prodhuese po konsiderohet sërish një aset strategjik.

Nëse vendet më të industrializuara të Evropës po investojnë për të rikthyer prodhimin, pse Shqipëria duhet të heqë dorë nga një sektor ku ka ndërtuar përvojë dhe reputacion për më shumë se 35 vjet? Edhe Shqipëria duhet të ndjekë të njëjtin vizion.

Sigurimi i lëndëve të para, i energjisë, i pajisjeve mjekësore, i produkteve industriale dhe i zinxhirëve të furnizimit duhet të trajtohet si një prioritet kombëtar. Pavarësia ekonomike, qoftë edhe e pjesshme, nuk është luks; është domosdoshmëri strategjike. Një ekonomi që mbështetet pothuajse vetëm te shërbimet, si turizmi apo ndërtimi, pa një bazë të fortë prodhuese, është më e cenueshme ndaj krizave. Historia ka treguar se vendet më të qëndrueshme janë ato që prodhojnë, eksportojnë dhe ruajnë industrinë e tyre.

Në këtë kontekst, qeveria ka treguar se, kur e konsideron një sektor strategjik, si ai i mbrojtjes, është e gatshme të përdorë instrumente të fuqishëm mbështetës: krijimin e partneriteteve me sektorin privat, vënien në dispozicion të infrastrukturës, lehtësimin e investimeve, sigurimin e tregut përmes kontratave publike dhe mbështetjen financiare për zhvillimin e kapaciteteve prodhuese. Ky është një model që meriton vlerësim. Por lind natyrshëm një pyetje: Pse të mos zbatohet e njëjta filozofi edhe për industrinë e manifakturës?

Shqipëria nuk po nis nga zero. Përkundrazi, zotëron një industri me mbi 35 vite eksperiencë, me fuqi punëtore të kualifikuar, me reputacion në tregjet evropiane dhe me kompani që kanë prodhuar për disa nga markat më të njohura ndërkombëtare. Manifaktura shqiptare është si një Ferrari. Motori ekziston. Teknologjia ekziston. Përvoja ekziston. Sipërmarrësit kanë dëshmuar se dinë të konkurrojnë në tregjet më kërkuese të botës. Ajo që mungon është karburanti i politikave publike që ta rikthejnë sektorin në shpejtësinë që meriton.

Ky debat ndoshta nuk do të kishte kuptim njëzet vite më parë. Sot, po. Shqipëria ka një industri të konsoliduar, e cila, me politikat e duhura, mund të dyfishojë eksportet, të krijojë mijëra vende të reja pune, të rrisë vlerën e shtuar të prodhimit dhe të frenojë emigracionin. Çfarë mungon? Vëmendja strategjike.

Shpesh, fondet publike të planifikuara për investime nuk realizohen plotësisht dhe një pjesë e tyre mbartet nga një vit në tjetrin. Një pjesë e këtyre burimeve mund të orientohej drejt modernizimit të industrisë prodhuese, teknologjisë, inovacionit dhe rritjes së konkurrueshmërisë së eksporteve shqiptare.

Është koha që ky debat të mos mbetet vetëm në nivelin e analizës, por të shndërrohet në një angazhim kombëtar. Parlamenti i Shqipërisë duhet të miratojë një Ligj për Industrinë Prodhuese dhe një Strategji Kombëtare për Zhvillimin Industrial, duke e njohur manifakturën si një sektor strategjik të ekonomisë shqiptare. Ky ligj duhet të krijojë bazën për një politikë moderne industriale, me instrumente konkrete për modernizimin teknologjik, rritjen e produktivitetit, mbështetjen e eksporteve, financimin e investimeve, zhvillimin e markave shqiptare, formimin profesional dhe nxitjen e inovacionit.

Shqipëria nuk ka nevojë të shpikë një industri të re. Ajo e ka tashmë një industri që ka dëshmuar vlerën e saj në tregjet ndërkombëtare. Detyra jonë nuk është ta zëvendësojmë, por ta modernizojmë, ta mbrojmë dhe ta çojmë në një fazë të re zhvillimi.

Në fund të fundit, një vend nuk është i sigurt vetëm kur mbron kufijtë e tij. Ai është vërtet i sigurt kur mbron edhe fabrikat, vendet e punës, eksportet dhe aftësinë për të prodhuar. Siguria kombëtare dhe siguria ekonomike nuk janë dy koncepte të ndara; ato janë dy anët e së njëjtës medalje. Dhe Shqipëria nuk mund të jetë e fortë në njërën, duke lënë pas dore tjetrën.

Scroll to Top