48 mijë dosje në pritje në Apel, KLGJ zgjeron listën e çështjeve që do të gjykohen me procedurë të përshpejtuar
Gjykata e Apelit vazhdon të përballet me një ngarkesë të lartë pune, me rreth 48 mijë dosje në pritje për shqyrtim.
Për t’iu përgjigjur këtij stoku të madh çështjesh, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka vendosur të zgjerojë kategoritë e çështjeve që mund të shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar. Sipas vendimit të fundit, qytetarët do të kenë mundësi të kërkojnë përshpejtimin e gjykimit për çështjet që lidhen me:
- Pronësinë, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me kthimin dhe kompensimin e pronave.
- Mbrojtjen e mjedisit.
- Të drejtat e konsumatorit.
Më herët, KLGJ kishte miratuar përparësi në shqyrtim edhe për çështjet ku palë janë të miturit, kërkesat për detyrimin ushqimor, kujdestarinë, dëmshpërblimet, si dhe mosmarrëveshjet që lidhen me kontratat e punës.
Ky vendim vjen në një periudhë kur sistemi gjyqësor po përballet me mungesë të theksuar gjyqtarësh. Aktualisht, Gjykata e Apelit funksionon me vetëm 41 gjyqtarë, ndërkohë që numri i parashikuar në organikë është 78. Ky fakt ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e numrit të dosjeve të pambyllura dhe në zgjatjen e afateve të shqyrtimit.
