Humbjet e bankave nga rreziqet operacionale pësuan një rënie të ndjeshme në vitin 2025.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, këto humbje arritën vlerën e 146 milionë lekëve, duke shënuar një ulje prej 52% krahasuar me vitin 2024. Së bashku, bankat raportuan gjithsej 598 raste të humbjeve nga rreziqet operacionale, 69% më pak se një vit më parë.
Pas realizimit të rikuperimeve, humbja neto operacionale u ul në 77.9 milionë lekë, duke rezultuar në një shkallë rikuperimi prej rreth 47%.
Rezultatet e fundvitit 2025 tregojnë se humbjet operacionale të bankave janë përgjithësisht të ulëta, duke reflektuar kapacitete të mira për përthithjen e tyre. Për shumicën e bankave, raporti mes humbjeve dhe të ardhurave neto të veprimtarisë bankare mbetet nën 1%. Vlerat më të larta të këtij raporti, mes bankave, luhaten midis 0.93% dhe 2.09%.
Humbjet operacionale të bankave lidhen me rreziqe të ndryshme që prekin operacionet bankare. Rastet më tipike përfshijnë vjedhje, përvetësime ose humbje fondesh gjatë proceseve operacionale. Tradicionalisht, rreziku më i shpeshtë për bankat ka qenë ai i grabitjeve, si në degët bankare ashtu edhe gjatë transportit të vlerave monetare. Megjithatë, në vitet e fundit, nuk janë raportuar tentativa për grabitje të këtij lloji.
Me rritjen e përdorimit të teknologjisë në shërbimet dhe produktet financiare, rreziku i lidhur me krimet kibernetike po bëhet gjithnjë e më parësor mes kërcënimeve ndaj sektorit financiar.
Banka e Shqipërisë vlerëson se gjatë vitit 2025, është shënuar një përmirësim në cilësinë e administrimit të rrezikut të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, me një vëmendje të shtuar ndaj rrezikut kibernetik. Kjo ndodh pasi bankat bëhen gjithnjë e më të varura nga shërbimet dhe sistemet digjitale, ndërkohë që përballen me një rritje të numrit të kërcënimeve kibernetike.
Banka e Shqipërisë shprehet se mbikëqyrja bankare ndjek një sërë strategjish për të krijuar dhe mirëmbajtur një hapësirë të sigurt kibernetike në sektorin bankar. Këto strategji përfshijnë masa teknologjike, organizative dhe rregullatore, që synojnë mbrojtjen e të dhënave dhe sistemeve financiare nga sulmet kibernetike dhe rreziqe të tjera.
Në këtë kuadër, bazuar në “Udhërrëfyesin e Vetëvlerësimit të Rrezikut Kibernetik”, gjatë vitit 2025 është kryer vlerësimi i parë. Ky vlerësim synon të ofrojë një pamje më të unifikuar nga Banka e Shqipërisë mbi nivelin e maturitetit të proceseve dhe kontrolleve që lidhen me rrezikun kibernetik, si dhe adresimin e problematikave që burojnë prej tij.
Bazuar në vlerësimin e kryer, rezulton se sistemi bankar, në tërësi, tregon një nivel mesatar ose të mirë maturiteti, por me dallime të ndjeshme ndërmjet bankave.
Nivelet e maturitetit të kontrolleve të ushtruara nga banka në lidhje me sigurinë kibernetike, sipas grup-kontrolleve, paraqiten të ndryshueshme:
- Kontrollet Organizative: tregojnë një nivel nga 40% deri në 92%. Ky grup-kontrollesh ka luhatje të lartë sa i përket nivelit të maturitetit; megjithëse politikat ekzistojnë, zbatimi i tyre nuk është i njëtrajtshëm.
- Kontrollet e Personave: tregojnë një shkallë nga 48% deri në 98%, duke rezultuar në kontrolle përgjithësisht të forta në bankat me struktura të konsoliduara të burimeve njerëzore.
- Kontrollet Fizike: paraqiten me maturitet nga 54% deri në 93% dhe përbëjnë grupin më të qëndrueshëm, me përputhshmëri të kënaqshme.
- Kontrollet Teknologjike: rezultojnë me maturitet nga 39% deri në 94%, ku rreziqet kryesore konsistojnë në boshllëqe në ciklin jetësor të zhvillimit të sigurt, kriptografi dhe menaxhimin e dobësive.
Nga vlerësimi i Bankës së Shqipërisë rezulton se ekziston një nivel bazë i zbatimit të kontrolleve të sigurisë në të gjitha bankat. Kontrollet fizike dhe ato të personave paraqesin përgjithësisht një nivel më të lartë maturiteti, ndërkohë që kontrollet organizative dhe teknologjike mbeten fusha me nevojë për përmirësim të mëtejshëm, me fokus të veçantë në menaxhimin e rrezikut, palët e treta dhe sigurinë e aplikacioneve.
