Gjermani: Dënohet grup neo-nazist për sulme ndaj emigrantëve

Gjermani: Dënohen anëtarët e grupit neo-nazist, objektiv emigrantët dhe qendrat kulturore

Gjykata e Lartë Rajonale e Hamburgut ka shpallur fajtorë shtatë anëtarë dhe një mbështetës të grupit ekstremist të djathtë “Vala e Fundit e Mbrojtjes” (Letzte Verteidigungswelle). Grupi kryente sulme të dhunshme ndaj emigrantëve dhe kundërshtarëve politikë, me qëllim destabilizimin e sistemit politik gjerman.

Gjatë dhënies së vendimit, gjyqtari theksoi se emri i organizatës pasqyronte mentalitetin e tyre thellësisht racist dhe të dhunshëm. Në materialet propagandistike, grupi përdorte sllogane ekstreme si: “Ne jemi vala që largon ndyrësirën nga vendi ynë”.

Të dënuarit ishin të moshës nga 14 deri në 21 vjeç në kohën kur kryen krimet. Për shkak të moshës së tyre, ndaj tyre u aplikua ligji penal për të mitur, duke rezultuar në dënime me burgim për të rinj që variojnë nga një vit e gjysmë deri në pesë vjet. Dënimi për të pandehurin më të ri, prej një viti e gjysmë, u pezullua me kusht.

Ata u shpallën fajtorë për anëtarësim dhe mbështetje të një organizate terroriste, ndërsa dënimet mbulojnë vepra të rënda penale, përfshirë tentativën për vrasje, zjarrvënien e qëllimshme dhe shkaktimin e dëmtimit të rrezikshëm trupor.

Sipas vendimit të gjykatës, në tetor të vitit 2024, këta të rinj ndërmorën një sulm me zjarrvënie ndaj një qendre kulturore komunitare në Altdöbern, një qytet me vetëm 2,300 banorë në Brandenburg. Hetuesit besojnë se ekstremistët identifikuan gabimisht ndërtesën si një vend takimi për aktivistët e krahut të majtë. Ndërtesa u dogj tërësisht, duke shkaktuar dëme materiale prej disa qindra mijëra eurosh.

Kryetari i bashkisë së Altdöbernit, Peter Winzer, e cilësoi ngjarjen si një katastrofë absolute, duke u shprehur se ndërtesa shërbente si qendra kryesore e kulturës dhe e tubimeve për të gjithë komunitetin lokal.

Përveç këtij sulmi, dy nga të akuzuarit kishin tentuar pa sukses t’i vinin flakën një strehe për refugjatët në Schmölln (Thuringia) në janar 2025. Ata vizatuan svastika dhe slogane raciste në fasadë, ndërsa tre anëtarë të tjerë po planifikonin një sulm të ngjashëm në Senftenberg.

Ministri i Brendshëm i Brandenburgut, Jan Redmann, e cilësoi veçanërisht alarmante shpejtësinë me të cilën të rinjtë po radikalizohen përmes internetit. Ai ngriti shqetësimin për paralelen me të ashtuquajturat “vitet e shkopit të bejsbollit” – periudha e sulmeve masive ndaj refugjatëve në Gjermaninë Lindore pas ribashkimit. Ai vuri në dukje se disa nga këta të rinj kanë të afërm që kanë qenë të skeduar si ekstremistë të djathtë gjatë viteve ’90.

Autoritetet gjermane kanë zgjeruar hetimet me bastisje të shumta në disa shtete federale, duke shënjestruar dhjetëra të dyshuar të tjerë. Zyrtarët vlerësojnë se numri i anëtarëve të grupit “Vala e Fundit e Mbrojtjes” shtrihet në një rang dyshifror në të gjithë vendin.

Scroll to Top