Pentagoni akuzon ish-shefin e Forcave Ajrore për rrjedhje sekretesh shtetërore
Pentagoni i ka revokuar autorizimin e sigurisë ish-shefit të Forcave Ajrore të SHBA-së, Frank Kendall. Ai akuzohet për zbulim të paautorizuar të informacionit të klasifikuar, i cili lidhet me avionin presidencial të Donald Trump, dhuruar nga Katari.
“Ky veprim vjen pas zbulimit të paautorizuar të informacionit të klasifikuar në lidhje me aftësitë e Air Force One ndaj një medieje”, ka deklaruar zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, nëpërmjet një postimi në platformën X të premten.
“Ruajtja e informacionit të klasifikuar është një detyrë e pashmangshme. Ata që e shkelin këtë besim humbasin privilegjin e aksesit dhe çdo rol që e kërkon atë”, ka shtuar ai.
Ky vendim vjen pasi disa media raportuan se avioni luksoz Boeing 747-8, modifikuar dhe dhuruar ish-presidentit Trump nga qeveria e Katarit vitin e kaluar, nuk dispononte të njëjtat aftësi sigurie dhe mbrojtjeje si Air Force One aktual.
Raportimet e MS NOW dhe The New York Times sqaruan se Trump e kishte ndërruar avionin e dhuruar nga Katari me Air Force One origjinal muajin e kaluar. Kjo ndodhi gjatë kthimit nga një samit i NATO-s në Turqi drejt Mbretërisë së Bashkuar, për shkak të shqetësimeve për një komplot iranian kundër jetës së tij.
Muajin e kaluar, Departamenti i Drejtësisë lëshoi urdhra për të arrestuar gazetarët e The Times, pasi gazeta publikoi një artikull që trajtonte shqetësimet për sigurinë e aeroplanit. Departamenti i Drejtësisë më vonë i hoqi këto urdhra pasi një gjyqtar vlerësoi se hetimi shkelte mbrojtjetligjore të ofruara gazetarëve.
Kendall, i cili shërbeu gjatë administratës së Joe Biden midis viteve 2021 dhe 2025, ka deklaruar për CNN muajin e kaluar se besonte se avioni i ri do të kërkonte tre deri në katër vjet modifikime për të përmbushur standardet e avionit presidencial aktual, në aspektin e mbështetjes jetësore, komunikimit dhe sigurisë.
Donald Trump ka akuzuar vazhdimisht mediat për përhapjen e historive “të rreme” rreth tij dhe presidencës së tij, si dhe ka tentuar të ndalojë rrjedhjet e informacionit. Kohët e fundit, ai u zotua të ndjekë dhe burgosë “rrjedhësit e informacionit” pas raportimeve se SHBA-të kishin shterruar në masë të madhe rezervat e tyre të raketave gjatë luftës me Iranin. Ai e mohoi këtë pretendim, duke përshkruar rezervën e municioneve të vendit si “të pakufizuara”.
