Protesta e 69-të radhazi kundër qeverisë, protestuesit: Dorëheqja e Kryeministrit mbetet kërkesë e panegociueshme
TIRANË – Qytetarë u mblodhën edhe këtë të premte, më 7 gusht, para godinës së Kryeministrisë në protestën e 69-të radhazi kundër qeverisë, të njohur si ‘Revolucioni i Flamingove’. Gjatë tubimit, një nga protestuesit deklaroi se lëvizja do të vijojë deri në realizimin e kërkesës kryesore, duke theksuar se dorëheqja e kryeministrit Edi Rama mbetet e panegociueshme.
Ai u shpreh se protesta përfaqëson një rezistencë qytetare ndaj një sistemi që nuk garanton përfaqësim dhe kushte të denja jetese. Protestuesi tha se pas largimit të qeverisë do të kërkohet funksionim i drejtë i institucioneve dhe vendosja e drejtësisë.
“Është rezistenca nga një rendi që na e bën të pamundur jetesën dhe se nuk na përfaqëson. Janë ditët e një epoke të re në historinë e shqiptarëve. Duhet të konsiderojmë edhe vijimësinë. Këta nuk kanë bërë asgjë për të anuluar ligjet. Do kërkojmë drejtësi për funksionim e institucioneve dhe pas dorëheqjes së qeverisë. Dhuna dhe mllefi nuk janë pjesë e alternativës sonë. Kemi zbuluar një qytetari shembullore që as në Perëndim nuk e gjen dot. Në rrugën tonë të drejtë shtrihet qytetaria e dashuria për veten vendin dhe njëri tjetrin. A do t’i kthehemi telenovelave PS-PD? Jo sepse këtu në shesh e kemi ndarë mendjen, ‘Shqipëria kërkon revolucion’”, tha ai.
Protestuesit kanë paraqitur pesë kërkesa kryesore:
- Dorëheqjen e kryeministrit.
- Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë.
- Shfuqizimin e Paketës së Maleve.
- Anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
- Anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.
- Kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
